Putin e pranon: Situata në 4 provincat e aneksuara nga Moska në Ukrainë është shumë e vështirë

0 142

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka pranuar sot se situata në katër rajonet e Ukrainës jugore dhe lindore, që Moska i ka aneksuar pa i vënë plotësisht nën kontrollin e saj, është “jashtëzakonisht e vështirë”.

“Situata në Republikat Popullore të Donetsk, Luhansk, si dhe në provincat Kherson dhe Zaporizhia është jashtëzakonisht e vështirë,” tha Putin.

Presidenti rus i bëri këto deklarata në një video drejtuar punonjësve të shërbimit të sigurisë (FSB), shërbimit të kundërzbulimit (SVR) dhe mbrojtjes së personave të rangut të lartë (FSO) me rastin e Ditës së Shërbimeve të Sigurisë që festohet në Rusi më 20 dhjetor.

Putin përshëndeti punën e këtyre shërbimeve që funksionojnë “në provincat e reja të Rusisë”, duke siguruar se “njerëzit që jetojnë atje, qytetarët rusë”, varen nga anëtarët e shërbimeve të sigurisë për “mbrojtjen” e tyre.

Vetë presidenti rus, një ish-agjent i shërbimeve sekrete të Bashkimit Sovjetik (KGB), kërkoi nga shërbimet e kundërzbulimit që të ishin tepër të kujdesshëm.

“Është e nevojshme të shtypen me vendosmëri veprimet e shërbimeve sekrete të huaja dhe të identifikohen efektivisht tradhtarët, spiunët dhe sabotatorët”, nënvizoi ai.

Kujtojmë se në shtator Moska njoftoi aneksimin e katër rajoneve të Ukrainës: Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson, të cilat ushtria ruse i kontrollon pjesërisht pas mbajtjes së “referendumeve”.

Megjithatë, në nëntor Ukraina arriti të rimarrë Khersonin, kryeqytetin e provincës me të njëjtin emër, duke i dhënë një goditje të rëndë Moskës.

Leave A Reply

Your email address will not be published.