Presidenti Meta: Vendi drejt katastrofës financiare. Koha të ndalojmë rënien në humnerë

0 299

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në komunikimin javor me gazetarët për temat më aktuale të politikës në vend, tha se një investitor i huaj ka ngritur padi ndaj Shqipërisë. Për më tepër kreu i shtetit ka thënë se Gjykata e Arbitrazhit po rrezikon financat e vendit. Sipas Presidentit, Avokatura e Shtetit nuk i ka dhënë informacion për padinë e Kurum në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit. Sipas kreut të shtetit, kryeministri Edi Rama nuk firmos në asnjë rast, madje as në Parlament kur miratohen kontrata të tilla.

”Kur ekonomia nuk po e rimerr veten nga dy tragjedi, një barrë të rëndë po shkakton papërgjegjshmëria e institucioneve për ruajtjen e interesave të shtetit shqiptar. Dita ditës po rritet borxhi publik. Është rritur numri i çështjeve të humbura të shtetit shqiptar në Gjykatat e huaja, i kam dërguar Avokatit të Shtetit, numrin e çështjeve në proces në Gjykatën e Arbitrazhit ku është përfshirë Shqipëria, shërbimet e përfaqësimit, shpenzimet dhe të dhënat për ato, numrin e çështjeve të fituara në Gjykatatën e Arbitrazhit, numrin e çështjeve të humbura, sa ka kushtuar, shpenzimet administrative për koston e procesit, të dhëna mbi faktin nëse deri sot për çështjet e humbura. A ka referuar Avokatura e Shtetit për nxjerrjen e përgjegjësve për dënim e shkaktuar ndaj shtetit Shqiptar. Shqipëria ka një detyrim mbi 99 mln euro, ndërsa kostoja ka vlerë për mbi 300 mijë euro. Nga sa është bërë publike, vendimi i arbitrazhit e evidenton qartë vendimet arbitrare të Shqipërisë, deklaratat e Ramës kanë pasur rol thelbësor në vendimin e Gjykatës në dëm të Shqipërisë. I dhashë mundësi të dytë Avokaturës edhe pse ishte me shumë vonesë, deri tani sërish heshtje e plotë. Kjo nuk tregon papërgjegjshmëri por përpjekje e hapur për të fshehur informacionin”, tha kreu i shtetit.

Presidenti ngriti edhe shqetësimin për marrjen e borxheve dhe theksoi se është koha për të parandaluar rënien në humnerë të vendit. ”Nuk duhet të vihemi para skenarëve të errët që rëndojnë më shumë financat publike. Koha për parandalimin e rënies në humnerë të vendit është tani. I bëj thirrje kryeministrit, Avokaturës së Shtetit dhe ministres së Financave të bëjnë transparencë dhe të mbajnë në konsideratë që po shoh çdo kërkesë për të marrë borxhe. Shteti shqiptar nuk mund të marrë borxhe pa fund dhe të rrëzohet prej tyre”,- tha Meta.

Nga ana tjetër, i pyetur për çështjen e Kodit Zgjedhor si dhe për draftin e PS-së, Presidenti Meta se kryeministri Edi Rama nuk nxjerr dot as mandatin e tij. Teksa i ka bërë thirrje që të heqë dorë nga lojërat, kreu i shtetit theksoi se listat duhen që të hapen 100%.

”Të heqë dorë nga lojërat me Kodin. Meqë kishte merakun e listave të hapura, të hapë listat. E dini pse nuk hap listat? Se e di shumë mirë që del jashtë kontrollit PS-ja, se do të votojnë socialistët dhe jo biznesmenët, por sepse ai nuk del deputet. Jo ta vërë veten në 4 qarqe por në 12. Unë këtu s’kam lidhje, por jam kreu i shtetit. Negociatat s’hapen po s’u bë kjo po s’u bë ajo, hapet shampanja. Duhet të marrë fund kjo gjë. Në politikë humbet si kudo. Është koha të mbledhë forcat dhe të ketë dinjitet për të pranuar humbjen. Unë i ndaj çështjet, çfarë është personale, është personale, çfarë është politike është politike”,- tha Meta.

Në Presidencë pak ditë më parë u shfaq vepra teatrale e regjisorit Robert Budina, “Profeti i Kokoshkave”. Lidhur me këtë, gazetarët e pyetën kreun e shtetit pse e ndërmori një nismë të tillë jo të zakonshme. Sipas Presidentit, kjo u bë në kushte jo të zakonshme pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, ndërsa premtoi se Teatri do të ndërtohet ashtu siç ishte dhe atje ku ishte. ”Nuk është normale të bëhet një shfaqje në presidencë, por unë kisha një pyetje për ju: çfarë është normale? Të shembet në kulmin e pandemisë Teatri Kombëtar? Është normale mos jepet leje të japin një sjfaqje në rrënojat e Teatrit? Presidenca është e hapur për këtë çështje. Dua tju siguroj ju dhe të gjithëve se Teatri do të ndërtohet atje ku ishte dhe siç ishte dhe shfaqja e parë do të jetë “Profeti i Kokoshkave. Këtë e vendosin artistët por unë do të jem i parë që do të presë biletën”,- tha Meta.

Leave A Reply

Your email address will not be published.