Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ka bërë thirrje rinisë shqiptare që të mos dorëzohet në kohë të vështira, por të qëndrojë në lartësitë e detyrave të historisë.
“Epopeja e kodrës së kuqe ishte një legjendë patriotizmi dhe trimërie, zgjoi aspiratën për liri dhe shtoi urrejtjen ndaj armikut. Nën këtë moto edhe unë do doja që populli shqiptar, sidomos rinia, të mos dorëzohen nga vështirësitë e kohës, por të qëndrojnë në lartësitë e detyrave të historisë, të kërkojë bukuritë e jetës në këto troje që janë mbrojtur me gjakun e heronjve më të mirë”, tha Meta.
Deklarata e Kreut të Shtetit u bë gjatë ceremonisë së vlerësimit të Heronjve të Popullit dhe figurave të shquara të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Vojo Kushi, Sadik Stavileci, Xhoxhi Martini, Muharrem Llanaj e Hatixhe Farka.