Policia kap zarf “bombë” drejtuar kryeministrit Sanchez dhe ministres së Mbrojtjes

0 146

Policia spanjolle informoi Gjykatën Kombëtare këtë të enjte se kishte përgjuar një zarf me material piroteknik drejtuar kryeministrit Pedro Sanchez dhe ministres së Mbrojtjes, Margarita Robles, vetëm pak orë pasi një zarf mbërriti në bazën ajrore Torrejon de Ardoz mëngjesin e sotëm.

Mediat e huaja raportojnë se zarfi i drejtuar kryeministrit ishte dërguar me postë të zakonshme dhe është përgjuar më 24 nëntor në La Moncloa, pasi shërbimet e Departamentit të Sigurisë së Presidencës së Qeverisë, në detyrat e kontrollit dhe filtrimit të korrespondencës, zbuluan një zarf të dyshimtë.

Sekretari i Shtetit për Sigurinë, Rafael Pérez, shpjegoi se incidenti nuk ishte referuar në Gjykatën Kombëtare deri këtë të enjte. Arsyeja është se u konsiderua një ngjarje e izoluar deri në shpërthimin e një zarfi tjetër me karakteristika të ngjashme në ambasadën e Ukrainës këtë të mërkurë, drejtuar direkt ambasadorit Serhii Pohoreltsev.

Nga ana tjetër, zarfi në adresë të ministres së Mbrojtjes Margarita Robles ka mbërritur mëngjesin e kësaj të enjte në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes në Paseo de la Castellana 109 (Madrid), dhe teknikët e specializuar për asgjësimin e mjeteve shpërthyese kanë udhëtuar atje për ta çaktivizuar atë. Ndërkohë bëhet me dije se janë rritur masat e sigurisë në selinë e Ministrisë.

Sakaq, Ministria e Brendshme ka konfirmuar se, midis orës tre dhe katër të mëngjesit, një zarf i dyshimtë drejtuar qendrës satelitore ka mbërritur në Njësinë Ushtarake të bazës ajrore Torrejón de Ardoz.

Gjatë kalimit në skaner, përmbajtja e paketës në të cilën vlerësohej një mekanizëm ka vënë alarmin dhe janë njoftuar forcat e sigurisë. Menjëherë janë aktivizuar protokollet përkatëse, ndërkohë që Policia Kombëtare ka marrë përsipër analizën e zarfit.

Ndërkohë, Ministria e Brendshme ka sqaruar se, janë në pritje të hetimeve që po kryhen në Komisariatin e Informacionit të Përgjithshëm të Policisë, karakteristikat e zarfeve dhe përmbajtja e tyre janë të ngjashme. Në konferencën për shtyp, Perez deklaroi se pesë zarfet ishin në ngjyrë kafe, se përmbanin lëndë piroteknike të ndezshme, por jo shpërthyese.

I vetmi zarf që nuk ka shpërthyer është ai i Torrejón de Ardoz, të cilin agjentët kanë arritur ta neutralizojnë dhe shpresojnë se me të do të lehtësohet hetimi i paketimit dhe mekanizmit të përdorur, si dhe i autorësisë së dërgesës.

Sekretari i Shtetit për Sigurinë, megjithatë, nuk ka dhënë informacion nëse Ministria e Brendshme ka dijeni për ngjarje të tjera të ngjashme në vendet që mbështesin Ukrainën në luftën e shpallur nga Rusia.

Leave A Reply

Your email address will not be published.