Plani me snajper për kokën e Ardian Çapjes, ja çfarë ndodhi sot në Elbasan

0 515

Në Elbasan janë rikthyer përplasjet e vjetra. Ardian Çapja, koka e familjes së njohur në këtë qytet i shpëtoi atentatit të tretë paraditen e së hënës. 55-vjeçari u qëllua me snajper në një atentat të mirë organizuar, pranë shtëpisë në zonën e Krastës. Autorët çanë rrethimin edhe pse zona kontrollohet nga familja me kamera sigurie. 55-vjeçari mori një plumb në shpatullën e majtë, pranë zemrës. Në momentin që u rrëzua dhe ra në tokë mori edhe një frakturë në kokë. Ai u dërgua tek spitali Traumës në Tiranë, ku operacioni zgjati 90 minuta, ndërsa gjendja e tij paraqitet kritike. Policia duket se ka arritur të gjejë edhe mjetin e përdorur nga personi ose personat e dyshuar si të përfshirë në ngjarjen kriminale.

Në zonën e Fushë Mbretit është gjetur një makinë e djegur, brenda së cilës ka pasur fishekë që kanë shpërthyer dhe kanë dëmtuar edhe një punonjës të forcave zjarrfikëse që kishin shkuar për të shuar flakët. Policia e ka ta qartë tashmë se çfarë ndodhi në shtëpinë e Ardian Çapjas. Në drejtim të tij u qëllua prej kodrës së Krastës nga një largësi e pazakontë për armë të thjeshta. Bëhet fjalë për një snajper mjaft të avancuar, i cili u gjet i djegur në makinën e braktisur të atentatorëve disa minuta pasi tentuan të vrisnin objektivin e tyre. ”Sako TRG M10.338 Lapua Magnum”, 27 mm, prodhuar në Finlandë, i cili njihet botërisht për saktësinë e tij për shenjestrimin e objektivave disa qindra metra larg. Policia ka zbuluar se Ardian Çapja u qëllua nga 250 metra largësi me një snajper që mund të vrasë deri në 800 metra. Për fatin e tij, plumbi i lëshuar e kapi në shpatull duke i shkaktuar një plagë të madhe. Ngjarje të tilla janë shtuar shumë gjatë viteve të fundit duke vendosur në pikëpyetje dhe sigurinë në vend.

Për Arben Hajdarmataj, informacionet e përcjella nga policia janë të pakta ku më së shumti ngjarja është zbardhur nga mediat. Ai thotë se autori është treguar shumë i kujdesshëm për të fshehur të gjitha gjurmët e tij. ”Unë mendoj që ky atentat është tipik mafioz për sa i përket mënyrës se si është organizuar. Mënyra se si është survejuar objektivi, sa kohë kanë qëndruar duke e vëzhguar, arma që është përdorur. Kujdesi që është përdorur për të fshirë numrat identifikues tek armët të paktën me të dhënat që ka raportuar deri më tani media sepse informacione nga grupi hetimor apo drejtoria e përgjithshme e policisë nuk kemi asnjë. Vetëm një raportim të shkurtër. Unë vazhdoj ta kritikoj Policinë e Shtetit pasi në raste të tilla duhet të japë sa më shumë informacione të jetë e mundur dhe detaje për qytetarët për të bërë dhe qetësimin e tyre. Qytetarët janë më të qetë kur marrin një informacion nga drejtuesit e policisë së shtetit. Ngjarja e Elbasanit në aspektin policor them se ka qenë e pritshme sepse kemi shumë grupe rivale në aspektin e kriminalitetit në Elbasan”.

Situata e kriminalitetit në Shqipëri gjatë viteve të fundit duket sikur ka pësuar rritje. Ky fenomen vendos në pikëpyetje dhe besueshmërinë tek strukturat e Policisë së Shtetit. Ish-drejtuesi i policisë, Hajdarmataj shprehet se një problem thelbësor në strukturat e policisë janë njohjet e efektivëve apo shefave me individë me rekorde kriminale. Ai shprehet se policët kanë frikë të raportojnë ngjarjet tek eprorët e tyre kur i shohin ata të shoqëruar me persona me përfshirje kriminale pasi kjo mund t’i vërë në rrezik jetën.

Leave A Reply

Your email address will not be published.