Një sherr mes liderëve të BE-së është raportuar se ka ndodhur në Bruksel, pasi nuk po gjejnë dakordësinë për fondin e rimëkëmbjes për pandeminë. Diskutimet do të vijojnë sot në ditën e katërt, ndërsa raportohen diferenca të mëdha mes liderëve, që po përpiqen të negociojnë një marrëveshje si dhe njëkohësisht buxhetin e bllokut.
Disa vende anëtare besojnë se pakoja e propozuar prej 750 miliardë eurosh është shumë e madhe dhe se duhet të ripaguhet si kredi dhe jo në formën e granteve. Sipas asaj që raportohet, debatet kanë qenë të ashpra, me tone tepër të larta në disa raste. Presidenti francez, Emmanuel Macron është shfaqur i irrituar duke përplasur dorën mbi tavolinë duke kërcënuar se do të largohej nga bisedimet.
Kryeministri holandez, Mark Rutte, ka pranuar se negociatat janë afër dështimit. Fondi prej 750 miliardë euro do të shpërndahet mes vendeve anëtare për të luftuar krizën dhe rënien e fortë ekonomike të shkaktuar nga pandemia koronavirus. Ata kërkojnë që ta miratojnë sa me parë në mënyrë që të nisë rimëkëmbja por kanë hasur në kundërshtimin e Holandës, Austrisë dhe Suedisë që kanë vendosur kushte.