Perëndimi shtrëngon radhët pas SHBA prej frikës së Putin

0 172

Brenda pak ditësh, presidenti rus Vladimir Putin ka arritur atë që për shumë dekada nuk ishte realizuar, unitetin e Bashkimit Evropian për blerjen dhe dërgimin e armëve në një zonë lufte si edhe rikthimin e unitetit transatlantik.

Për vite të tëra, presidenti rus mund të sodiste nga distanca rastet e ndasive në Perëndim, duke filluar nga dalja e Britanisë nga BE-ja në vitin 2016, antipatia e gjatë e Hungarisë ndaj BE-së, dhe përçarja e krijuar nga ish-presidenti Donald Trump, që nuk është tejkaluar plotësisht nën administratën e presidentit Joe Biden.

Zotit Putin mund t’i jetë dukur momenti i përkryer për agresionin ndaj Ukrainës, duke menduar se kjo mund të krijonte përçarje të mëtejshme në Perëndim, me një luftë në kontinent që do t’u prishte qetësinë diplomatike të gjitha vendeve të BE-së.

“Vladimir Putini mendoi se do të shkatërronte unitetin evropian, por ai bëri pikërisht të kundërtën”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel në një intervistë me një grup të vogël gazetarësh të hënën.

“Bashkëpunimi është shumë i fortë”, tha ai. “Këtë e kërkojnë rrethanat e historisë, që askush prej nesh nuk mund t’i imagjinonte”, shtoi zoti Michel.

Të hënën, Presidenti Biden drejtoi një tjetër videokonferencë me BE-në, Britaninë dhe udhëheqës të tjerë perëndimorë për të forcuar një paketë të përbashkët sanksionesh të forta dhe për të forcuar unitetin. Gjatë fundjavës, Brukseli dhe Uashingtoni njoftuan sanksione financiare brenda pak minutash nga njëri-tjetri, të cilat vunë në shënjestër bankën qendrore ruse, duke e shkëputur Rusinë nga pjesa më e madhe e sistemit të transaksioneve financiare ndërkombëtare, SWIFT.

Së bashku ata mbyllën hapësirën e tyre ajrore për avionët rusë dhe ranë dakord për listën e oligarkëve rusë ndaj të cilëve vendosën sanksione. Duke parë unitetin e Perëndimit, presidenti Putin vazhdoi të hënën me gjuhën e vjetër kundër Perëndimit, të përdorur gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë nga Bashkimi Sovjetik dhe Pakti i Varshavës.

Duke e përqendruar zemërimin e tij tek Uashingtoni, ai i përshkroi aleatët perëndimorë si “satelitë të Shteteve të Bashkuara”.

“Pra, është e drejtë të thuhet se i gjithë blloku perëndimor i formuar nga Shtetet e Bashkuara, sipas dëshirave të tyre, përfaqëson një perandori gënjeshtrash”, tha zoti Putin.

Një unitet i këtyre përmasave nuk ekzistonte mes fuqive perëndimore para se presidenti Putin të merrte vendimin për të grumbulluar trupa në kufirin e Rusisë me Ukrainën.

Veçanërisht ishte i rëndësishëm qëndrimi brenda 27 vendeve të BE-së, duke bërë ndryshime të detajuara që u arritën me pak mosmarrëveshje.

“Ky është një moment vendimtar”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen të dielën në lidhje me vendimin e BE-së për “të financuar blerjen dhe dërgimin e armëve dhe pajisjeve të tjera në një vend që është nën sulm”.

Është i njëjti Bashkim Evropian, i bazuar në një projekt paqeje të pas Luftës së Dytë Botërore, që braktisi armët për të krijuar një bashkëpunim ekonomik që krijoi një kontinent me një mirëqenie dhe pasuri të pashembullt. Është i njëjti Bashkimi Evropian që mori çmimin Nobel për Paqe 10 vjet më parë për atë që mund të arrinte pa përdorimin e armëve.

Ishte gjithashtu i njëjti bllok që për vite me radhë ka theksuar vlerat e asaj që e quan fuqi të butë, diplomacinë, ndihmën dhe shkëmbimet kulturore, në vend të fuqisë së armëve.

I gjithë ky ndryshim në vetëm një javë. Tani zoti Michel thotë: “Nuk ka hapësirë për dobësi dhe ne duhet të tregojmë një vendosmëri.”

Ndryshimi ka qenë më i theksuar se kudo në Gjermani, fuqia kryesore ekonomike e BE-së, por edhe një vend që ka hezituar të investojë shumë në fuqinë ushtarake, kryesisht për shkak të së kaluarës së saj militariste, e cila rezultoi në tmerrin e Luftës së Dytë Botërore.

Gjermania është përballur me kritika të vazhdueshme gjatë viteve të fundit për dështimin në përmbushjen e objektivit të NATO-s për shpenzimet në nivel 2% të prodhimit të brendshëm bruto në fushën e mbrojtjes. Megjithatë të dielën, kancelari Olaf Scholz njoftoi se Gjermania do të krijonte një fond të posaçëm prej 100 miliardë eurosh për forcat e saj të armatosura dhe do të rriste shpenzimet e mbrojtjes në nivelin 2% të prodhimit të brendshëm bruto “tani e tutje, nga viti në vit”.

Kancelari Scholz gjithashtu ka sfiduar edhe refuzimin e mëparshëm të Gjermanisë për të eksportuar armë në zonat e konfliktit, duke u zotuar të dërgojë armë antitank dhe raketa tokë-ajër në Ukrainë.

“Nëse bota jonë është e ndryshme, atëherë edhe politika jonë duhet të jetë e ndryshme”, tha Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock. Kthesa e madhe e politikës u ekzekutua nga një qeveri e udhëhequr nga socialdemokratët e qendrës së majtë, të kritikuar shpesh për butësinë që ka treguar ndaj Rusisë dhe partia e Gjelbër, e cila ka një trashëgimi pacifiste.

Bota ndryshoi edhe për kryeministrin hungarez Viktor Orban, i cili shpesh shihej si një udhëheqës autokrat i BE-së, njëlloj si presidenti Putin. Për vite me radhë, ai ka kritikuar BE-në, ishte mik me presidentin rus dhe shihej si dikush që mund ta thyente bllokun nga brenda.

Kjo mendohej se ishte e mundur sepse sanksionet e BE-së kundër Rusisë kërkojnë unanimitet mes 27 vendeve anëtare. Megjithatë, brenda disa ditëve Hungaria ra dakord ashtu si vendet e tjera të BE-së për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

“Kam folur menjëherë me Viktor Orbanin kur u përballëm me këtë situatë të re dhe mund t’ju them se ishte më pak e vështirë se sa pritej që të merrnim mbështetjen e Hungarisë”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Megjithatë, tani janë ditët e para të luftës dhe mund të vijnë momente më të vështira me vendime edhe më të mëdha, veçanërisht pasi presidenti rus dhe rrethi i tij kanë patur kohë për shumë vite për t’u përgatitur për çdo eventualitet.

“Ata kanë aftësinë për të vazhduar për ca kohë pavarësisht pasojave që po vuajnë tani”, tha Amanda Paul nga Qendra e Politikave Evropiane. “Pra, kjo do të thotë se Perëndimi do të duhet të jetë shumë i përkushtuar dhe shumë i vendosur për të vazhduar presionin”, shtoi ajo./voa/

Leave A Reply

Your email address will not be published.