Pashkët Ortodokse me mesazhe solidariteti dhe mirënjohjeje

0 360

Besimtarët urojnë njëri – tjetrin që ringjallja e Krishtit, simboli shekullor i triumfit të jetës mbi vdekjen, të sjellë ringjalljen e jetëve të tyre normale dhe mposhtjen e virusit Corona.   

Besimtarët e krishterë do t’i mbajnë mend gjatë Pashkët e sivjetme. Pandemia e COVID -19 u ka mbyllur dyert e tempujve të tyre, katedraleve, një javë më parë për besimtarët katolikë dhe sot (19.04.2020) për ata ortodoksë. Liturgjitë e të Premtes së Zezë për kryqëzimin dhe vdekjen e Krishtit, hymnet për ringjalljen e tij i kanë ndjekur në banesat e tyre, vetëm me familjet për shkak të izolimit dhe distancimit social të detyruar me ligj, që prej 40 ditësh.

Si asnjëherë më parë ata urojnë njëri – tjetrin që ringjallja e Krishtit, simboli shekullor i triumfit të jetës mbi vdekjen, të sjellë ringjalljen e jetëve të tyre normale dhe mposhtjen e virusit Corona.

Kreu i Kishës Autoqefale të Shqipërisë, Krypeshkopi Anastas Janullatos, në mesazhin për besimtarët ortodoksë i ftoi ata të bëhen pjesë e mobilizimit dhe solidaritetit mbarënjerëzor edhe në kushtet e karantinës.

“Teksa qëndrojmë në shtëpi nuk duhet të izolohemi, përkundrazi, le ta mbështesim njëri-tjetrin, me fjalë, me veprime të thjeshta, me heshtje të mbushur plot dhembshuri, me dëshirë të mirë dhe me gëzim. Le të tranmetojme dritën e shpresë dhe të mos paturit frikë nga epidemia. Sindroma e frikës nga ky armik i padukshëm nuk duhet të na gjunjëzojë,” tha kryepeshkopi Janullatos, në mesazhin e rastit, të shtunën (18.04.2020), nga Katedralja ” Ngjallja e Krishtit” në Tiranë.

Albanien Tirana Orthodoxe Kirche Osterfest (DW/A. Ruci)

Kryeministri Rama në përshëndetjen e tij për besimtarët ortodoksë vuri në dukje praninë e Zotit edhe në kohë izolimi dhe mbylljeje.

“Në këtë kohë të çuditshme tempujsh të kyçur, vijnë edhe Pashkët Ortodokse, pa kishat hapur por me Zotin pranë çdo familjeje që sonte feston. Gëzuar Pashkët” uroi Kryemnistri Rama.

Ish-vendi i vetëm ateist në botë sfidon virusin

Dyert e Katedrales “Ngjallja e Krishtit”, një nga tre katedralet ortodokse më të mëdha në Ballkan, kanë qëndruar të mbyllura gjatë gjithë javës së shenjtë që paraprin Pashkët. Por besimtarët kanë ardhur gjatë javës në oborrin e saj, kanë ndezur qirinj, janë falur dhe kanë vendosur lule. Sofika Kola, soprano e njohur në Teatrin e Operas dhe Baletit vendos një trëndafil në dorezën e derës së rëndë prej bronxi të Katedrales.

“Çdo vit sjell lule për epitafin dhe këndoj në korin e Katedrales liturgjitë e kryqëzimit dhe e hymnet e ringjalljes. Sivjet vendos këtë trëndafil me shpresë që dikush nga priftërinjtë, që hynë e dalin, do ta marrë dhe vendosë në epitafin me lule, që kanë ngritur edhe sivjet, por që nuk shoqëtohet nga procesioni i besimtarëve nga ndalimi i grumbullimeve. Me këtë trëndafil dua të them se besimi im nuk cënohet nga asnjë lloj virusi,” thotë ajo për DW.

Sofika sjell ndërmend fëmininë e saj kur dyert e katedraleve të krishtera u mbyllën nga diktatura komuniste për më shumë se tri dekada.

Sofika KolaSofika Kola

” Në familjen time por edhe të besimtarëve të tjerë ortodoksë festoheshin Pashkët dhe bëheshin të gjitha ritet në shtëpi. Besimi jetoi në ato kushte kaq të vështira, kur diktatura shpalli Shqipërinë “vendin e vetëm atesist në botë”, kur ata që festonin në shtëpi Pashkët apo Krishtlindjet burgoseshin. Si mund ta mposhtë besimin frika nga virusi? Jo, jo, kam bërë gjithë ritet, përgatitur tryezën, lyer vezët e kuqe edhe në këto Pashkë,” thotë ajo për DW.

Mirënjohje për mjekët dhe infermierët në front të parë

Vezët e kuqe, simboli i lashtë i varrimit dhe ringjalljes, dreka me mish qëngji, simbolin e sakrificës së Krishtit të kryqëzuar janë të pranishme në drekën e besimtarëve ortodoksë edhe në këto Pashkë të pazakonta.

Të dielën Katedralja u hap vetëm për tre orë paradite. Autoritetet thyen shtetrrethimin 60 orësh, që mbaron të hënën (20.04) që nga orët e hapjes të përfitonin vetëm besimtaret gra,vajza dhe fëmijët e tyre nën 10 vjeç. Me mjete mbrojtëse, maska dhe doreza, me rradhë dhe rregull besimtaret hynë në katedrale, u falën dhe ndezën qirinjtë e Pashkës.

Kristi (DW/A. Ruci)

Urimet e tyre pasqyrojnë kohën e pazakontë nga pandemia: urojnë shëndet dhe rezistencë. Por ka edhe urime krejt të reja.

Kristi , një vajzë e re, thotë për DW se urimi i saj shkon për ekipin e mjekëve dhe infermierëve, në spitalet e Tiranës, që janë në frontin e parë për të shpëtuar jetë.

” Jam shumë mirënjohëse për të gjithë ata që punojnë në frontin e parë në spitale dhe urgjencë, që sot nuk janë me familjet e tyre për të festuar Pashkët, por janë duke u kujdesur për të sëmurët, të infektuarit me virusin Corona. I falenderoj nga zemra për angazhimin dhe përkushtimin e tyre, ata po sfidojnë epideminë, ata na japin shpresë”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.