Pacientët me Covid-19 në Shqipëri, frika për keqpërdorim të të dhënave personale

0 256

Qytetarët janë të shqetësuar lidhur me ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale, si dhe për sigurinë dhe ruajtjen e konfidencialitetit të tyre. Ky shqetësim konstatohet në ankesat e paraqitura nga subjektet e të dhënave pranë Zyrës së Komisionerit, si dhe në indicie të publikuara në media të ndryshme, lidhur me pretendime për përhapje të paligjshme të të dhënave personale, veçanërisht atyre shëndetësore, të pacientëve të infektuar me Covid-19.

Zyra e Komisionerit sjell në vëmendje të të gjithë kontrolluesve faktin se të dhënat shëndetësore përbëjnë të dhëna sensitive në kuptim të nenit 7 të Ligjit dhe, për pasojë, gëzojnë një mbrojtje të veçantë si nga legjislacioni kombëtar, ashtu edhe nga e drejta ndërkombëtare e detyrueshme për Shqipërinë.

Për këtë arsye, ftohet dhe kërkohet nga ana e kontrolluesve publikë dhe privatë t’i kushtojnë vëmendje të posaçme respektimit të detyrimeve të tyre në kuadër të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale dhe garantimin e të drejtës së mbrojtjes së të dhënave personale dhe jetës private të individëve të dhënat e të cilëve ata përpunojnë.

Përgjegjësi dhe angazhim maksimal në lidhje me përpunimin e të dhënave personale sensitive, në përputhje me legjislacionin në fuqi, kërkohet, veçanërisht, nga autoritetet shtetërore përgjegjëse për parandalimin e përhapjes së Covid-19 dhe menaxhimin e situatës së krijuar prej tij.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, thotë se po ndjek me vëmendje të shtuar respektimin, nga kontrolluesit publikë dhe privatë “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, në kuadër të masave për administrimin dhe parandalimin e pandemisë Covid-19.

Leave A Reply

Your email address will not be published.