OFL i çon letrat/Kush është organizatori i vrasjes së majorit të policisë?

0 438

Operacioni Forca e Ligjit kërkon nga Kastriot Jaupi deklarimin e pasurisë. Po kush është Kastriot Jaupi i dënuar për vrasjen e major Ilir Ngresit? Vrasja për të cilën u akuzua Kastriot Jaupi ndodhi në qytetin e Vlorës në vitin 2000, kur ish-zyrtari i policisë major Ilir Ngersi u qëllua me armë zjarri duke gjetur vdekjen. Më datë 12 nëntor 1997, Kastriot Jaupit i vritet i vëllai, i quajtur Ilir Jaupi gjatë një kundërveprimi me armë ndaj forcave të policisë, ngjarje kjo e ndodhur në vendin e quajtur Guri i Bardhë në Berat.

Nga ky moment Kastriot Jaupi tentoi disa herë të qëllonte mbi krerët e policisë së Beratit, të cilët i bënte përgjegjës për vdekjen e të vëllait. Vepronte vetë, por pothuaj gjithmonë përdorte edhe Dritan (Shyahip) Zhukën. Kastriot Jaupi dhe Dritan Zhuka kanë tentuar disa herë të godasin efektivët e lartë të policisë së asaj kohe. Viktima e vetme do të ishte Major Ilir Ngresi. Pas datës 28 qershor 1999 Kastriot Jaupi ishte një qytetar i lirë. Edhe pse i dyshuar si autor i një sërë vrasjesh, ndaj tij kishte vetëm një çështje penale në proces gjyqësor. Akuzohej për vrasjen e një fqinji të tij të quajtur Ilia Stasa si dhe për plagosjen e vajzës së tij Evis, ngjarje e ndodhur më 16 mars 1997.

Kastriot Jaupit i kishte pëlqyer ajo vajzë, por ishte refuzuar kur po tentonte të krijonte një lidhje. Pikërisht për shkak të këtij refuzimi, Jaupi e qëllon vajzën, teksa qëndronte në ballkonin e shtëpisë së saj. Pak më vonë, në të njëjtin vend, po në ballkon, ai qëllon edhe të atin e vajzës, i cili humb jetën. Për habi, edhe pse ngjarja kishte dëshmitarë, edhe pse vetë vajza e plagosur dëshmonte se e pa Kastriotin me armën në dorë, gjatë seancës së fundit të gjykimit, u la i lirë. Për fat të keq liria e Kastriot Jaupit korrespondon me riemërimin e Ilir Ngresit në krye të policisë antikrim të Beratit. Me temperament të fortë, edhe pse i mbetur i vetëm në Berat, pa kolegët e tij të vjetër, Ngresi nuk e ul kokën. Madje e sfidon Kastriot Jaupin duke i bërë kontroll makine sa herë që përballeshin. Duket kjo sjellje dhe sidomos fakti se ai po tentonte të hetonte disa nga vrasjet e vjetra, ku përfshihej Kastriot Jaupi, e dënojnë atë me vdekje.

Goditja e parë ndaj Ilir Ngresit bëhet më 7 shtator 2000. Makina që udhëtonte Majori qëllohet nga njerëz pa maska në vendin e quajtur Qafa e Koshovicës, rreth 2-3 km larg qytetit të Fierit. Mjeti bëhet shoshë nga predhat, një nga gomat shpërthen, por gjithsesi arrin të shkojë deri në komisariatin e policisë së Fierit. Ngresi ishte plagosur lehtë në shpatull. Përtokë policia e Fierit gjeti rreth 90 gëzhoja kallashnikovi, të qitura nga tre armë të ndryshme. Kastriot Jaupi dhe Dritan Zhuka arrijnë ta qëllojnë dhe vrasin Major Ilir Ngresin vetëm në 30 dhjetor të vitit 2000. Në çastet e fundit të jetës ai ishte ulur të pinte kafen e zakonshme në një lokal që ndodhej në katin e parë të ndërtesës në të cilën banonte. Një oficer i FNSH-së së Vlorës, i cili ishte në të njëjtën tavolinë me të, nuk arrin ta shmangë vrasjen.

Dritan Zhuka, dorasi i Ngresit, u vra një vit më vonë, në nëntor 2001, në Berat. Sipas policisë, Dritan Zhuka është autor i rreth 10 vrasjeve të urdhëruara, porositura apo të paguara nga anëtarë të ndryshëm të Bandës së Beratit. Kastriot Jaupi u kap në më 28 nëntor 2001, në afërsi të Madridit, nga policia spanjolle. Në xhep kishte një pasaportë të falsifikuar me emrin Përparim Mejdani, lëshuar nga Komisariati i Policisë së Korçës në fund të vitit 1998. Drejtësia spanjolle e akuzoi për vendosje gjobe ndaj dy vëllezërve nga Skrapari. Në vitin 2003, ndërkohë që ai vuante dënimin spanjoll, Gjykata e Vlorës, e dënoi me burg përjetë për vrasjen e ushtarakut Ilir Ngresi. Vendimi mbeti në fuqi edhe në shkallët e tjera të gjykatave. Kastriot Jaupi u ekstradua në Shqipëri në vitin 2008. Tashme Jaupi duhet te justifikoje pasurinë e tij brenda 48 orëve, do të jetë SPAK që do të vlerësojë në përputhje me aktin normativ ose jo kërkesën e OFL.

Marrë nga /Abc News/

Leave A Reply

Your email address will not be published.