Niset kontingjenti i 8-të në Letoni, Peleshi: I bindur për profesionalizmin e ushtarakëve tanë

0 340

Është nisur sot kontingjenti i 8-të i Asgjësimit të Mjeteve Shpërthyese në misionin e NATO-s, Letoni. Në ceremoninë e përcjelljes së kontingjentit mori pjesë edhe ministri i ri i Mbrojtjes Niko Peleshi, i cili shoqërohej nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Bajram Begaj dhe komandanti i Komandës Mbështetëse gjeneral brigade Ndriçim Sallaku. Në fjalën e tij ministri Peleshi u shprehu kënaqësinë që takimin e parë me efektivët e FA e bëri me trupat që do të shërbejnë në një mision ndërkombëtar. Më tej, Peleshi theksoi rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti dhe vlerësoi përgatitjen dhe profesionalizmin e trupave shqiptarë për të shërbyer në misione të tilla.

“Republika e Shqipërisë në vijimësi ka dëshmuar se është jo vetëm faktor paqeje dhe stabiliteti rajonal e më gjerë, por edhe një aleat serioz, i cili merr përsipër dhe mban barrën e detyrimeve në kuadër të mbrojtjes kolektive të Aleancës. Jam i bindur se me përgatitjen, përkushtimin dhe profesionalizmin tuaj ju do të përmbushni me dinjitet dhe korrektesë të gjitha detyrat duke kontribuar në këtë mënyrë në suksesin e Aleancës”,-tha ai.

Peleshi nuk harroi të falënderojë mbështetësit kryesorë të kompanisë EOD dhe familjarët e efektivëve që u nisën në mision. ”Një falenderim i veçantë shkon për aleatin tonë strategjik, SHBA, për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme në ngritjen e kapacitetit të rëndësishëm të Pajisjeve dhe Municioneve Shpërthyese. Dëshiroj të falenderoj fëmijët, bashkëshortet, prindërit dhe familjarët tuaj për mbështetjen e përhershme dhe të pakursyer që ju kanë dhënë”,-iu drejtua ai trupave të rreshtuar, të cilët i siguroi për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Bajram Begaj i dorëzoi flamurin kombëtar komandantit të kontingjentit major Eduart Kaloshi. Kontingjenti i 8-të EOD përbëhet nga 21 ushtarakë të mirëtrajnuar për asgjësimin e municioneve të rrezikshme dhe do të shërbejë për rreth 6 muaj në Camp Adazi. Grup-batalioni i NATO-s në Letoni përbëhet nga mbi 1 mijë trupa nga Shqipëria, Kanadaja, Republika Çeke, Islanda, Italia, Mali i Zi, Polonia, Sllovakia, Sllovenia dhe Spanja. Batalioni ka mision parandalimin, dhe nëse është e nevojshme, mbrojtjen e Letonisë nga çdo agresion i mundshëm.

Leave A Reply

Your email address will not be published.