Mutacioni i Covid-19/OBSH: Jo më vdekjeprurës, por duhet frenuar

0 413

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka reaguar pas lajmeve për mutacionin e Covid-19dhe që shumë shtete kanë mbyllur fluturimet me Britaninë. OBSH, thotë se nuk ka prova që të sugjerojnë se mutacioni i Covid-19 shkakton vdekshmëri më të lartë apo simptoma më të rënda. Mutacioni u zbulua fillimisht në juglindje të Anglisë e më pas raste u konfirmuan edhe në Danimarkë, Holandë dhe Australi, siç bëri të ditur zyrtarja e lartë e OBSH, Maria Van Kerkhove.

“Nuk ka të dhëna që të sugjerojnë ndryshim të sjelljes së virusit, por megjithatë studime të mëtejshme po kryhen”, u shpreh Van Kerkhove. Të dhënat paraprake sugjerojnë se varianti i ri, i shfaqur fillimisht në shtator në Britaninë e Madhe, përhapet më shpejt nga personi në person dhe mund të ndikojë tek saktësia e disa testeve diagnostikuese.

Zyrtarja e OBSH u kërkon shteteve të marrin të gjitha masat e mundshme për të parandaluar përhapjen e virusit dhe thotë se sa më shumë të zgjasë pandemia aq më madhe do të jetë mundësia e mutacioneve. Ekspertët besojnë se mutacioni ka ndodhur tek ndonjë pacient me sistem të dobësuar imunitar që nuk ka arritur të mposhtë virusin.

Leave A Reply

Your email address will not be published.