Messi, CR7 dhe… Neymar; 10 kampionët e mëdhenj që do të luajnë Botërorin e fundit në Katar

0 156

Botërori në Gjirin Persik (Katar 2022) do t’i japë fund brezit të të lindurve në vitet ’80. Në këtë kompeticion priten të marrin pjesë të gjithë “Topat e Artë” të 14 viteve të fundit.

KUPA E BOTËS E FUNDIT

Secili në mënyrën e vet mund ta mbyllë ciklin në futboll. Zinedine Zidane, në vitin 2006, vendosi të hynte në histori nga ana e gabuar dhe të merrte faqen e parë të çdo gazete me… goditjen me kokë në gjoks të Materazzi. Ishte Botërori i tij i fundit, minutat e fundit të një karriere të mrekullueshme, të “ndotur” nga ai episod i keq kundër Materazzi. I përjashtuar dhe i mundur në finale, nuk ishte mënyra më e mirë për t’u vlerësuar në “kërcimin” e fundit të karrierës. Kush e di se kampionët e shumtë, që priten të thonë lamtumirë në Katar, mund të mos jenë në gjendje të bëjnë më mirë. Parashikohet që ky të jetë Botërori i fundit i shumicës së brezit të mrekullueshëm të atyre që kanë lindur në vitet ’80, si dhe të gjithë “Topave të Artë” në 14 vitet e fundit.

THIAGO SILVA

Nga ta fillojmë në historinë e fenomeneve që kanë arritur performancën e fundit botërore? Po e nisim sipas moshës, nga më të vjetrit. Mbrojtësi i datëlindjes 1984, Thiago Silva e udhëheq Brazilin në përpjekjen e shumëfishtë për të ringjallur historinë e tij sportive. Ky do të jetë Botërori i katërt për veteranin brazilian. Në vitin 2010 nuk luajti asnjë minutë, më 2014 vuajti kartonët e verdhë, më të dhimbshmit ndaj Kolumbisë, që e bëri ta vëzhgonte ‘Mineirazo’ nga tribuna, 1-7 ndaj Gjermanisë. Në edicionin e kaluar ai shënoi kundër Serbisë në grupe, por përfundoi në shtëpi tashmë në çerekfinale kundër Belgjikës.

CRISTIANO RONALDO

Cristiano, i lindur në vitin 1985, ëndërron një lamtumirë të paharrueshme me Portugalinë. Ai do të luajë të pestën Kupë Bote. Rezultati më i mirë ishte vendi i katërt në “Gjermania 2006”, kur ende nuk kishte fituar famë globale. Ai mund ta përmirësojë atë rezultat së bashku me “ushtrinë” e fenomeneve të reja që drejton.

LUKA MODRIC

“Magjistari” nga Zara mbushi 37 vjeç shtatorin e kaluar, megjithatë bëmat e tij në fushë nuk duken kurrë si për këtë moshë. Tani për tani ka thashetheme se ai është gati të përballet me Botërorin e fundit të jetës (i katërti). Ai e filloi më 2006 në Gjermani, ndërsa më 2018 shkoi deri në finale. “Topi i Artë” 2018, kapiten i Kroacisë krenare që nga viti 2016, Luka është sllav në zemër dhe në këmbë. Ai luan si një “playmaker’ i viteve 80-të, sikurse bënë Prosinecki dhe Savicevic. Por mos harroni forcën e grupit, atë që i lejoi bardhekuqtë kroatë të arrinin në finalen e “Rusia 2018”.

LUIS SUAREZ

Luis Suarez është po aq i mprehtë sa trupi i baletes Elettra Lamborghini dhe po aq i pangopur sa një tigër i Bengalit. Vitet mbi supe në janar do të jenë 36. Sulmuesi uruguajan, verën e kaluar përshëndeti Evropën, me destinacion Nacional de Montevideo, dashurinë e tij të parë, me të cilën fitoi titullin kombëtar pak javë më parë. Suarez pas pak ditësh do të kërcejë “tangon” e fundit në Katar. Ky kërcim popullor, për më tepër, ka lindur në Uruguaj. Ai së bashku me “Celesten” ka një llogari të hapur me Botërorin. Në vitin 2010, “Mano de Dios” i tij e çoi kombëtaren në gjysmëfinale, por aty humbi ndeshjen kundër Holandës. Katër vite më vonë mori pezullimin 4-mujor për kafshimin e shpatullës së Chiellinit.

EDINSON CAVANI

Edi është pothuajse binjaku i Luis Suarez. Lindur një muaj më vonë (shkurt 1987), ata kanë një rrugë të përbashkët në ekipin kombëtar për më shumë se dhjetë vite, nga Kupa e Botës 2010 në Afrikën e Jugut (ku kompozoi një treshe të shkëlqyer me Suarez dhe Forlan) deri në “Katar 2022”. “Matador” mund të mos jetë në më të mirën e tij për një problem, kyçin e këmbës, por nuk do ta humbiste këtë Botëror për asgjë në botë. Në fund të fundit ai ka zgjedhur Valencia posaçërisht për të rifituar formën dhe golat, komponentë idealë për të qenë gati edhe në kombëtare.

LIONEL MESSI

Një pjesë e mirë e tifozëve që nuk kanë kombëtaret e tyre në “Katar 2022” do të brohorasin për të, shtatë herë fituesin e “Topit të Artë”. Kupa e pestë e Botës për Messin do të jetë edhe e fundit. Leo, i lindur në qershor 1987, është mishërimi njerëzor i Diegos në Argjentinë, por atij i mungon Kupa e Botës që Maradona e fitoi dy herë. Në vitin 2006, në Gjermani, ai jetonte në një dhomë zhveshjeje me fenomene absolute, por u ndal në çerekfinale. I njëjti fat në vitin 2010 (Diego e stërviti vetë), ndërsa më 2014 humbi në finale kundër Gjermanisë. Një plagë e pa shëruar ende. Edicionin e fundit, në “Rusia 2018”, ai kërceu si solist në një nga versionet më të trishta të Albiceleste. Këtë herë do t’i lejojë vetes një kërcim të fundit të vërtetë, intensiv, nga ato që do të kërcehen me shpejtësi së bashku me partnerë si Lautaro, Di Maria dhe Alvarez.

KARIM BENZEMA

Le të jemi të qartë: të gjithë lojtarët në këtë listë do të përballen në Katar si me një “thikë midis dhëmbëve”. Por askush nuk do ta bëjë këtë me emocionet e Benzema: i përjashtuar nga Domenech më 2010, megjithëse ishte tashmë një bomber. Ai luajti vetëm në Botërorin 2014, duke u shfaqur gjithashtu mjaft mirë (3 gola të shënuar). Por vitin e ardhshëm u përjashtua nga kombëtarja pas skandalit me Valbuena, histori që e mbajti larg ngjyrave blu edhe në Botërorin 2018, të fituar nga Franca pa të. Deschamps, me brohoritje popullore, e thirri atë për “Euro 2021”, gjashtë vite pas thirrjes së fundit. Tani vjen “basti” më i rëndësishëm i karrierës së tij. Karim do të mbushë 35 vjeç më 19 dhjetor, një ditë pas finales së Kupës së Botës. Një ditëlindje për ta festuar me Kupën, pasi do të kërcejë për herë të fundit një vals elegant francez me Mbappe dhe shokët e tij.

SERGIO BUSQUETS

Në dhjetëshen e pasur të “kërcimtarëve” që kanë arritur në aktin e fundit Botëror, Busquets është i vetmi që e ka fituar Kupën. Ishte gjithashtu pjesëmarrja e tij e parë, ajo e vitit 2010 në Afrikën e Jugut. Në moshën 22-vjeçare ai ndihmoi për të ndryshuar ritmin e Spanjës, për të ngritur trofeun. Tani mesfushori i datëlindjes 1988 do t’ua kalojë stafetën e katër viteve të shkëlqyera 2008-2012 të rinjve Pedri, Gavi, Nico Williams dhe Ansu Fati. Busquets do të jetë gjithashtu përgjegjës për gjetjen e shëlbimit pas shifrave të dobëta në Brazil (eliminimi në grupe) dhe në Rusi (në 16-she kundër mikpritësve).

GARETH BALE

Ai mund ta përkufizonte veten si një “hero i dy botëve”: fitoi në Evropë dhe Amerikë (me Chiellini triumfoi me fanellën e Los Angeles FC në kampionatin amerikan), por nuk luajti kurrë në Kupën e Botës. Gareth Bale, 33 vjeç dhe me disa dëmtime pas tij, është gati për përvojën e tij të parë dhe të fundit botërore. Synimi është të përpiqet të kapërcejë një grup jo të papërmbajtshëm, me Anglinë, SHBA dhe Iranin. Bale dhe Uellsi janë gati të kërcejnë bashkë me një popull të shpejtë dhe konkret. Nëse kalojnë fazën e grupit, uellsianët mund ta pushtojnë aeroportin e Cardiff-it.

NEYMAR

Çfarë lidhje ka ai me këtë listë? Ai është 30 vjeç, nuk i përket brezit të viteve 80-të, që pas “Katar 2022” do të përshkojnë kilometrat e fundit, para se t’i dorëzohet historisë. Neymar e ka futur veten në këtë listë. Në më shumë se një intervistë ka rrëfyer se do të jetë Botërori i tij i fundit. Mbetet për t’u parë nëse ai dëshiron të jetë i dëshiruar apo nëse mendon vërtet të tërhiqet para kohe nga kombëtarja. Sigurisht që O Ney nuk ka kujtime të bukura nga Botërori. Në edicionin shtëpiak të 2014-ës e prisnin si profet, por humbi gjysmëfinalen fatkeqe me Gjermaninë për shkak të dëmtimit. Në Rusi nuk doli dot nga mediokriteti i përgjithshëm i “Selecaos”, eliminimi në çerekfinale ndaj Belgjikës. Tani ai zhytet përsëri në “Samba” me disa kampionë më shumë se në vitin 2018. Dhe Brazili kthehet të besojë…

Leave A Reply

Your email address will not be published.