Merr dozën e dytë, Rama: Presim 40 mijë vaksina nga Pfizer. Manastirliu: Nuk kemi asnjë rast të varianteve të reja të Covid

0 362

Pasi mori dozën e dytë të vaksinës Pfizer, kryeministri Edi Rama u përgjigj se imunizimi ka nevojë për të gjithë ciklin. Duke anashkaluar pyetjen rreth fushatës, ai theksoi se e rëndësishme është që vendi ynë ka hyrë në zbatimin e kontratës me Pfizer, dhe bëri me dije se përgjatë këtij muaji do të vijnë 40 mijë doza të tjera.

”Mesa kemi mësuar imunizimi ka nevojë për të gjithë ciklin, e rëndësishme është që kemi hyrë në zbatimin e kontratës me Pfizer. Dje (të hënën), kanë ardhur dozat që kanë hapur rrugën, nëse i shohim numrat ngushtë dhe nëse nuk shohim gjithë panoramën e planin, patjetër që duken shumë pak, por në fakt të mos harrojmë që në rajon jemi i vetmi vend që ka hyrë në zbatimin e kontratës dhe ka hyrë në vaksinimin për mjekë e infermierë dhe situata e përgjithshme për furnizimin me vaksina në krejt Evropën është kaotike, vende të mëdha kanë filluar kërcënimet për ndjekje në rrugë gjyqësore të kompanive, pasi kërkesa është marramendëse dhe oferta është ende shumë e ulët për shkak të numrave të prodhimit. Po dje në darkë morëm konfirmimin nga Pfizer se në mesin e shkurtit mbërrijnë 10 mijë dozat e parashikuara dhe brenda shkurtit do vijnë 30 mijë dozat e tjera”. Ne jemi gati të vaksinojmë të gjithë mjekët e infermierët dhe ata që janë në moshë më të thyer, që janë kategoria A e qytetarëve”,-tha Rama.

Ambicia e qeverisë është që vaksinimi për Covid-19 të realizohet për të gjithë popullsinë brenda 14 muajve. Ky është skenari i parë i qeverisë. ”Skenari i parë është i që zgjat 14 muaj, skenari i dytë, 18 muaj dhe skenari i tretë është ai që zgjat 24 muaj. Ambicia jonë është skenari i parë. Jemi duke vijuar me rritjen e kapaciteteve. 1 000 vaksinator dhe ndihmës vaksinor janë të gatshëm të kryejnë këtë shërbim në rrjetin qendrave shëndetësore”,- tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Lidhur me variantin britanik të Covid-19, Manastirliu tha se deri më tani s’kemi të verifikuar variante të reja, ndërsa shtoi se hetimi në këtë drejtim vijon. “Janë dërguar në mënyrë të vazhdueshme mostrat, por deri më tani s;kemi verifikuar variante të reja të Covid-19, puna vijon dhe vlerësimi i të gjitha rasteve vijon. ISHP dërgon vazhdimisht mostra për të parë nëse ka variante të reja”,- tha Manastirliu.

E pyetur për gjendjen shëndetësore të doktor Pëllumb Piperos, Manstirliu, tha se situata shëndetësore e mjekut është e mirë. “Doktor Pipero është mirë. Ai po ndiqet nga një grup mjekësh, nga të cilët presim lajmin e mirë të shërimit të tij. Për marrjen e dozës së dytë do të vendosin mjekët dhe infermierët”,- u shpreh Manastirliu.

Pas nisjes së procesit të vaksinimit me dozën e dytë të 50 mjekëve dhe infermierëve të parë të spitaleve Covid, në stadiumin ”Air Albania”, ajo theksoi se së shpejti do të nisë vaksinimi për të moshuarit në qendrat e kujdesit rezidencial, ndërsa procesi i vaksinimit do të jetë i kombinuar. ”Nga sot do të marrin dozën e dytë mjekët dhe infermierët e parë që kanë bërë vaksinën anti-covid, ndërsa do të vijohet me vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve në vijën e parë. Në javët në vijim do të vijnë fillimisht 10,000 dhe 30,000 doza dhe procesi i vaksinimit do të jetë i kombinuar dhe sapo të vijnë dozat e tjera do të fillojmë edhe me të moshuarit në qendrat e kujdesit rezidencial”.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.