Megaoperacioni “Albania” sekuestron 444 kg kokainë me vlerë 15 milion dollarë, droga ishte hedhur nga avioni

0 196

Një operacion i madh antidrogë i koduar “Albania” ka rezultuar me kapjen dhe sekuestrimin e 444 kilogramëve kokainë në Uruguaj.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, sipas të cilave operacioni u krye të premten e kaluar në Tacuarembo. Gjithashtu bëhet me dije se pakot me drogë u hodhën nga një avion i vogël që po fluturonte mbi zonën e Rincón de Zamora, Montevideo Chico, pranë Route 59. Kokaina nga një kamion, më pas u transferua në një kamion që transportonte dru zjarri. Të dy drejtuesit e mjeteve 24 dhe 36-vjeç janë arrestuar. Gjithashtu, u arrestua një 20-vjeçar, i cili ishte përgjegjës për t’i njoftuar se ku kishte rënë droga që ishte hedhur nga avioni.

Çështja po hetohet nga Prokuroria e Narkotikëve, me në krye prokuroren Mónica Ferrero. Sipas Prokurorisë, 20-vjeçari tashmë është akuzuar për asistencë në veprimtarinë e trafikut të lëndëve narkotike, ndërsa dy drejtuesit e mjeteve janë akuzuar për transport droge. Është caktuar masa e sigurimit prej 120 ditësh. Prokurori Ferrero raportoi se fermat u bastisën në Soriano, Rivera dhe Montevideo.

Në një konferencë për shtyp, Richard Saravia, shefi i policisë së Tacuarembó, tha se kjo është një sasi rekord e sekuestruar për departamentin dhe e përcaktoi atë si diçka historike.

Sipas Guillermo Maciel, nënsekretar i Ministrisë së Brendshme, kokaina e sekuestruar kap vlerën e tre milionë e gjysmë dollarëve në tregun vendas: “Po të ndahej në doza në tregun kombëtar, arrin në shtatë milionë dollarë” dhe “E njëjta drogë e vendosur në Europë është 15 milionë dollarë”.

Nënsekretari tregoi se “ka gjasa që nuk do të qëndronte këtu sepse është kokainë e cilësisë së mirë, ndaj shkon në përgjithësi jashtë vendit”, megjithëse tha se kjo është një hipotezë dhe se nuk është vërtetuar. Nuk dihet ende se nga vinte kokaina: “Është pjesë e procedurës së hetimit dhe inteligjencës që po kryhet në koordinim me agjencitë e inteligjencës të vendeve të tjera Mercosur, konkretisht me Brazilin, Argjentinën dhe Paraguajin”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.