Mediu: Rama kundër Europës, NATO-s dhe Perëndimit. Presidenti të shpërndajë Parlamentin. Partitë e reja jo vota…

0 348

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu për “Koha Jonë”: Rinia ka forcën dhe idealin për ta bërë këtë ndryshim. Unë jam krenar për rininë që sot përbën 80% të strukturave aktive të PR-së

Intervistoi: Redjon Shtylla

“Rama është kundër Europës, kundër NATO-s dhe Perëndimit”. Kështu shprehet për “Koha Jonë”, ish-ministri i Mbrojtjes dhe kreu i PR-së, Fatmir Mediu, thotë se qeveria “Rama 2”, ka ngjashmëri vetëm me regjime korruptive, autoritariste dhe oligarkike. Ndërsa për akuzat mes kryeministrit dhe Presidentit të vendit, Mediu nënvizon se kreu i qeverisë, Edi Rama nuk njeh as Kushtetutë, as ligje dhe as institucione, dhe nga ana tjetër, ai ka një thirrje për kreun e shtetit. “Presidenti Meta duhet të shpërndajë Parlamentin si antikushtetues, që po shkatërron mundësitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe të ardhmen tonë Europiane”. Mediu thotë se Rama nuk do ndalet për të manipuluar zgjedhjet. “Opozita nuk mund të pres më, por duhet të organizohet në çdo qendër votimi, për të identifikuar çdo votues, duke i’u mundësuar atyre të shkojnë të votojnë, të shmangim dhunën dhe intimidimin, të ndalojmë shitblerjen e votave, dhe për të siguruar një votim transparent, dhe repsektim të votave të tyre”. Për zgjedhjet e 25 prillit dhe për lajmet e fundit që parti të reja pritet që të dalin, Mediu pohon se “duhet që ne të ndërtojmë një politike elektorale e cila përjashton faktin që vota të opozitës apo partive të opozitës që nuk kthehen në mandate, të mos i hiqen popullit opozitar dhe ti jepen Ramës”.

Kryeministri Edi Rama thotë se nuk ka kohë për të humbur e që Kodin Zgjedhor do ta votojnë sërisht në Kuvend, është shënuar një përplasje në distancë mes Ramës me përfaqësuesit e lartë të BE-së. Këta të fundit i sugjerojnë që të presë opinionin e Komisionit të Venecias, dhe më pas të ketë një vendimmarrje. Refuzimi i kryeministrit, sa i rrezikshëm është?

Kryeministri Edi Rama nuk ka refuzuar Komisonerin për Zgjerim, por ka refuzuar BE-në dhe kjo nuk është hera e parë. Ai ka refuzuar në mënyrë të vazhdueshme Bundenstagun Gjerman dhe thirrjet e vendeve të Bashkimit Europian për një Reformë Zgjedhore konsensuale. Po ashtu ka shkelur besimin dhe ndërmjetësimin ndërkombëtar për marrëveshjen e 5 Qershorit. Ka dalë kundër qëndrimit dhe kërkesës të Sekretarit Amerikan, Pompeo. Rama është kundër Europës, kundër NATO-s dhe Perëndimit. Kjo është e thjeshtë për ta kuptuar për faktin sepse sjellja e tij nuk ka të bëjë me sjelljen e një lideri të një vendi anëtar i NATO-s, apo që do të bëhet anëtar i BE-së, po ashtu ai drejton një qeveri që ka qëllim përdorim e pushtetit për qëllime korruptive dhe nën ndikimin e krimit të organizuar, dhe politikat dhe sjellja e qeverisë Rama, nuk ka asgjë të përbashkët me interesat shqiptare për t’u bërë vend anëtar i BE-së. Standarti i BE-së dhe i NATO-s, nuk i interesojnë Ramës sepse ato janë e kundërta e asaj që do dhe ndërton Rama. Qeveria e Ramës ka ngjashmëri vetëm me regjime korruptive, autoritariste dhe oligarkike.

Sa të bashkuar janë partitë opozitare në këtë pikë, pasi lajmet flasin për krijimin e forcave të reja politike të spektrit të djathtë. Ka paralajmëruar një lëvizje edhe zonja Topalli. Si e shihni iniciativën e saj për një lëvizje të re? Janë kërcënim për rezultatin e 25 prillit për Opozitën e Bashkuar?

Ne duam një shoqëri demokratike ku gjithsejcili ka të drejtën për qëndrime dhe organizime politike që i gjykon të vlefshme. Duke ruajtur konsideratën dhe vlerësimin për kolegë që kanë bërë historinë e PD-së apo të djathtës, si dhe atyre që janë sot në PD, apo do bashkohen me rrugën tonë, mendoj se është e rëndësishme të përcaktojmë qëllimin tonë të perbashkët: Largimin e pushtetit të korruptuar, inkriminuar dhe anti-Europian të Ramës. Forcimin dhe rikthimin e vlerave të së djathtës në qeverisjen e vendit, me vlerat e saj më të mira politike dhe njerëzore. Në këtë kuadër mendoj që pavarësisht nga dallimet, duhet që ne të ndërtojmë një politike elektorale e cila përjashton faktin që vota të opozitës apo partive të opozitës që nuk kthehen në mandate, të mos i hiqen popullit opozitar dhe ti jepen Ramës. Kjo do dëmtonte interesat e të djathtës dhe Shqipërisë.

Më herët keni bërë thirrje që shqiptarët duhet të bashkohen kundër regjimit të korruptuar të Edi Ramës. A do të ketë një kontratë mirëbesimi për koalicion pas zgjedhor me PD-në, duke qenë se për zgjedhjet e 25 prillit, jeni shprehur se PR-ja do të ketë logon e vetë në fletën e votimit.

Mendoj që bashkimi është rruga e vetme që mund të largojmë këtë pushtet të korruptuar dhe të inkriminuar. Kjo kërkon një platformë të qartë politke dhe qeverisëse ku përfshihen idetë racionale të partive opozitare në shërbim të një shteti, dhe qeverie në shërbim të Shqipërisë Europiane. Së dyti një trup qeverisëse që tejkalon thjeshtë dhe vetëm lidershipin politik të opozitës, por përfshin historinë dhe eksperiencën më të mirë të së djathtës me të rinj të arsimuar, dhe me integritet që i japin vlerë, dhe gjallëri opozitës si në qeveri, gjithashtu dhe në garën elktorale. Partia Republikane do luftojë e vetme apo në koalicion me PD-në, bazuar me këto qëllime dhe principe që unë përmenda më sipër.

PR-ja është përfshirë prej javësh në takime intensive me anëtarët e partisë si edhe qytetarët, në çdo qark, qytet e lagje. Teksa keni vendosur rininë si forcën e re të PR-së, çfarë parashikon të ndryshojë partia Juaj bashkë me opozitën e bashkuar, kur të vini në pushtet? Si do të frenoni një eksord dhe largimin e të rinjëve jashtë vendit?

Qëllimi ynë nuk është vetëm largimi i regjimit të korruptuar të Edi Ramës, por mbi të gjitha bashkimi i shqiptarëve, ku korruspionin, krimin, përbuzjen dhe urrejtjen ta zëvëndësojë ndershmëria, ligji, respekti, dhe dashuria si vlerat më të mira shqiptare, për t’u bërë Europian dhe të respektohemi si të tillë. Rinia ka forcën dhe idealin për ta bërë këtë ndryshim dhe ne duhet ti japim gjithë mbështetjen. Unë jam krenar për rininë që sot përbën 80% të strukturave aktive të PR-së. Ky bashkim dhe qasja që thashë më sipër do rikthej shpresën, besimin dhe shqiptarët me vendin e tyre.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e fton çdo ditë për debat publik kryeministrin por ky i fundit hedh akuza të drejtim të kreut të shtetit. Si i keni parë këto “sulme” mes Ramës dhe Metës?

Rama nuk njeh as Kushtetutë, as ligje dhe as institucione. Ai beson se është autoriteti suprem i këtij vendi. Ai sulmon dhe shkatërron çdo gjë që i del përpara, po shkatërron Shqipërinë, dhe shqiptarët. Presidenti Meta duhet të shpërndajë Parlamentin si antikushtetues, që po shkatërron mundësitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe të ardhmen tonë Europiane.

Eurodeputetët nuk janë kursyer ndaj Shqipërisë, ku janë shprehur “Shtet i drejtuar nga mafia, zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë demokratike”. Çfarë sigurie keni që votat e shqiptarëve për opozitën nuk do të preken dhe pas datës 25 prill, nuk do të thoni se zgjedhjet u vodhën? Mund të kemi protesta në muajt në vijim?

Edi Rama nuk do ndalet për të manipuluar zgjedhjet, sepse kjo është rruga e vetme për të ruajtur pushtetin dhe lidhjet korruptive. Ai e ka filluar procesin e manipulimit të zgjedhjeve. Prandaj opozita nuk mund të pres më, por duhet të organizohet në çdo qendër votimi, për të identifikuar çdo votues, duke i’u mundësuar atyre të shkojnë të votojnë, të shmangim dhunën dhe intimidimin, të ndalojmë shitblerjen e votave, dhe për të siguruar një votim transparent, dhe repsektim të votave të tyre. Nuk ka rrugë tjetër, të bashkur mes vetes dhe me shqiptarë për të siguruar zgjedhje të lira dhe ndershme. Koha e veprimit është tani, çdo vonesë është në favor të Ramës.

Leave A Reply

Your email address will not be published.