Këshilli Bashkiak Tiranë, miraton pagesat për 3 mijë familjet e prekura nga tërmeti dhe rindërtimin e 200 shtëpive

0 400

Pak muaj nga tërmeti tragjik i 26 Nëntorit, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot pagesat e para në dorë për 3 mijë familje, shtëpitë e të cilave pësuan dëme që mund të riparohen, të kategorisë DS1, DS2, DS3. Po ashtu, u miratua edhe rindërtimii200 banesave të shpallura të pabanueshme nga Instituti i Ndërtimit. Ky proces u realizua në kohë rekord, duke bërë të mundur që familjet të kompensohen shumë shpejt nga fondi i rindërtimit. Në mbledhjen online të Këshillit Bashkiak, që u zhvillua sot, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se me miratimin e 3 mijë dosjeve të para, qytetarët mund të vazhdojnë t’i kryejnë vetë riparimet e shtëpisë së tyre.

“Sot janë 3 mijë familje të kategorive DS1, DS2 dhe DS3 që marrin pagesat cash. Do të vazhdojmë kështu, nga 3 mijë në çdo mbledhje, që t’i afrohemi sa më shpejt shifrës së 10 mijë dosjeve, të gjitha nga tërmeti i nëntorit”, tha Veliaj. Ai dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të nisë puna edhe për rindërtimin e 200 shtëpive të para, kryesisht në zonat rurale të Tiranës.

“Kemi gati edhe 200 dosjet e para për shtëpitë që do të rindërtohen, kryesisht në zonat rurale. Nuk bëhet fjalë për pallatet, por për shtëpitë private familjare. Me këtë lot hapen disa kantiere pune në shumë prej zonave rurale të Tiranës, për të filluar në kohë rekord edhe ndërtimin e shtëpive. Për 200 dosjet e shtëpive të reja do të procedohet me një kontratë me operatorin që do ta ndërtojë. Sigurisht, kontrata na lipset pasi të marrim çelësat në dorë, që të kemi mundësi ta hipotekojmë. Për të gjithë këto procedura, çdo njësi administrative do të informojë qytetarët që përfitojnë nga procesi i rindërtimit”, tha ai.

Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të mos abuzuar me aplikimet. “Duhet të kuptojmë se ky është grant solidariteti; pra, qeveria nuk e ka detyrim me ligj, por ka vendosur që ta ketë këtë dëshirë për solidaritet. Ky është një fond solidariteti dhe nuk vlen për shtëpinë e dytë, të tretë apo të katërt. Nëse dikush zotëron disa shtëpi, nuk përfiton nga ky fond solidariteti. Ky fond është ekskluzivisht për ata që kanë vetëm një banesë dhe kjo banesë është dëmtuar nga tërmeti”, tha kryebashkiaku.

Sipas tij, rindërtimi i shtëpive të reja do të bëhet bazuar në numrin kurorave në familje. “Bëhet fjalë për të ndihmuar ata që, sipas kurorave, kanë nevojë x metra katrorë, siç parashikohet nga ligji dhe akti normativ. Ndaj, për të gjithë të tjerët që kanë dy apo tre shtëpi, dua t’i sqaroj se thjesht vonojnë nevojtarët, duke aplikuar për shtëpinë e dytë apo të tretë. Nuk është ky rasti për abuzim, as për përfitim nga grantet e qeverisë”, deklaroi Veliaj.

Pjesë e projektit historik të solidaritetit do të jetë edhe rindërtimi i pallateve të shpallura të pabanueshme. Kryebashkiaku i Tiranës tha se deri më tani në kryeqytet janë rreth 41 pallate në listë për t’u prishur dhe rindërtuar nga e para. “Janë pallate kryesisht në zonën e Kombinatit, disa në Kinostudio dhe shumë më pak në zonat e tjera. Me t’i pasur të gjitha procesverbalet, do të vijmë në Këshill Bashkiak. Do të presim nëse do të ketë të tjerë që janë në proces verifikimi nga inxhinierët, të cilët na japin përfundimin nëse një ndërtesë qëndron dhe mund të rikuperohet, ose nëse duhet t’i hapim udhë një lagjeje të re, ku do të ndërtojmë jo vetëm me më shumë cilësi, por edhe me hapësira shumë më dinjitoze”, sqaroi ai.

Veliaj falenderoi anëtarët e Këshillit Bashkiak për ndihmën në dhënien në kohë rekord të dëmshpërblimeve të tërmetit. Ai shtoi se ndryshe nga qeveria e mëparshme, e cila nuk dha dëmshpërblimet e përmbytjeve, qeveria e sotme e gjeti zgjidhjen shumë shpejt. “Po i japim dëmshpërblimet në më pak se 10 muaj nga tërmeti i nëntorit; pra,mbaruampagesat për tërmetin e shtatorit, po përurojmë shtëpitë e reja të atij tërmeti, dhe tani në kohë rekord po bëjmë kompensimet për tërmetin e nëntorit. Nuk është njëmoment për të bërë politikë, por ju kujtoj përmbytjen e Shkodrës: U deshën 10 vite dhe qeveria e Edi Ramës për të bërë atë kompensim. Fakti që në 10 muaj, zgjidhëm një nga burokracitë më të vështira dhe më të komplikuara, besoj se i bën nder dhe meriton mirënjohjen tonë”, tha ai.

Por, krahas projektit të rindërtimit dhe të dhënies së pagesave cash, Bashkia e Tiranës këtë periudhë ka ndihmuar edhe biznesin për faljen e taksave, si dhe për ndihmën ndaj familjeve më në nevojë me pako ushqimore. Veliaj njohu anëtarët e Këshillit Bashkiak me projektet infrastrukturore, të cilat nuk janë ndalur as gjatë pandemisë. Ai bëri të ditur se po punohet me intensitet tek Unaza e Re, për ndërtimin e 17 shkollave të reja, këndeve të lagjeve, rehabilitimit të blloqeve të pallateve, si dhe për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.