I kërkohet largimi, Basha: Në dispozicion të çdo zgjidhjeje për bashkimin e demokratëve

0 238

Në Shqipëri, i gjendur përballë kërkesave në rritje për dorëheqjen e tij, kryetari demokrat Lulzim Basha tha sot se ai është në dispozicion të një zgjidhje që do të çonte në bashkimin e demokratëve “me gjithçka unë kam në dorë”. Këtë deklaratë ai e bëri në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, i thirrur për të dytën herë pas zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit, në 6 bashki të vendit.

PD, ndarja, Basha pas mbledhjes se grupit, Ne dispozicion te zgjidhjes 12 mars 22.mp4
Rezultati i dobët, që e çoi Partinë Demokratike në vend të tretë, shënoi një kthesë të fortë të situatës në gjirin e demokratëve. Dy nënkryetarët, zoti Agron Gjekmarkaj dhe zonja Grida Duma, dhanë dorëheqjen, duke kërkuar nga zoti Basha që të marrë përgjegjësitë e tij. Sot këtyre zërave u janë bashkuar dhe dy nënkryetarët e tjerë Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku, apo dhe Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi.

Një pjesë e deputetëve kanë kërkuar drejtpërdrejt dorëheqjen e menjëhershme të zotit Basha. Një pjesë tjetër që ai të bëjë një hap pas për t’i hapur rrugën bashkimit të demokratëve. Kjo pjesë e deputetëve duket se e kushtëzon tërheqjen e zotit Basha nga drejtimi i partisë, me heqjen dorë nga ana tjetër dhe të zotit Berisha nga synimi për t’u rikthyer në drejtimin e partisë.
“Ajo që është e qartë, është se do duhet të gjejmë një zgjidhje përtej dy individëve që kanë shkaktuar këtë problem dhe sa kohë ka një problem të shkaktar nga dy individë, do të duhet që të dy të tërhiqen që të gjejmë rrugën e zgjidhjes për të bashkuar demokratë. Vetëm duke lënë mënjane armiqësinë dhe luftën mes njëri tjetrit mund të fitojmë e të bëhemi alternativë qeverisëse”, deklaroi në përfundim të mbledhjes Sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi.
Në të njëjtën linjë ishte dhe nënkryetari Enkelejd Alibeaj. “Zoti Basha e ka thënë që vihet në dipozicion të çdo zgjidhje që heq problemin. Dhe nga zoti Berisha të hiqet dorë nga fryma përëarëse, pra injektimi i një atmosfere jo përbashkuese, dhe ky është minimumi që çdokush ja ka detyrim demokratëve”, u shpreh ai.
Vetë zoti Basha deklaroi në përfundim të mbledhjes gatishmërinë e “vënies sime në dispozicion të zgjidhjes në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme që ndihmojnë përbashkimin e Partisë Demokratike dhe ecjen e demokratëve përpara”. Kryetari demokrat duket se mund të shkojë drejt heqjes dorë nga drejtimi i partisë, por se nuk është i gatshëm ta bëjë këtë, pa bërë një tërheqje nga objektivi i tij dhe zoti Berisha.
Por ish kryeministri e ka bërë të qartë se askush nuk mund të heqë dorë nga mundësia e konfirmimit ose jo përmes votës. Aq më tepër që ai ndjehet tanimë në pozita më të favorshme. Në 6 mars, kandidatët e tij, ndonëse ishin në distancë votash me socialistët, me përjashtim të Shkodrës, grumbulluan ndjeshëm më shumë vota se kandidatët e zotit Basha. Për këtë arsye edhe në një reagim të sotëm pas mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Komisionit i Rithemelimit të PD-së, theksoi se “pasi i është përvjedhur gjithë jetën e tij politike përgjegjësisë për serialin e humbjeve, edhe kësaj here (zoti Basha) kërkon t’i shpëtojë asaj duke e vënë veten tashmë i damkosur si humbës serial dhe peng mjeran, në një hap me Sali Berishën”.
Sipas deklaratës “zgjidhja e vetme është bashkimi përmes rikthimit tek vota e lirë! Anëtarët, drejtuesit, deputetët e PD, e kanë vendin e tyre të pamohueshëm në Partinë Demokratike të votës së lirë. Kush ka frikë votën e lirë të demokratëve, nuk ka moral të kërkojë votën e shqiptarëve. Çdo demokrate dhe demokrat duhet të kuptojë se përjashtimet dhe mungesa e votës së lirë, janë vdekja e një force politike”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.