FSHF publikoi përgjimin, Veliaj: Shantazh për llogari të beut të saj

0 134

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka reaguar pas publikimit nga Federata Shqiptare e Futbollit të një audio-përgjimi të Veliajt me anëtarët e komunitetit të Futbollit dhe Shoqatës Rajonale Tirana.

Sipas FSHF në audio-përgjim Veliaj i bënte presion anëtarëve të shoqatës për të manipuluar zgjedhjet në FSHF.

Ndërkohë për këtë denoncim të Federatës Shqiptare të Futbollit kryebashkiaku Veliaj, ka akuzuar FSHF se në vend të garantimit të barazisë së garës për kreun e këtij institucioni ka zgjedhur rrugën e përgjimeve dhe të shantazhit për llogari të Armando Dukës.

“U qëndroj një për një atyre që kam thënë në atë palo përgjim të Federatës së Futbollit, e cila në vend se të garantojë barazinë e garës për kreun e saj, angazhohet në përgjime dhe shantazhe për llogari të beut të saj!’, shkruan Veliaj.

Veliaj sqaron se Bashkia e Tiranës është aksionere e Klubit të Futbollit “Tirona”, ndaj askush nuk duhet të ngatërrojë përkatësinë e tij në PS me përfshirjen që i takon si aksioner në këtë proces zgjedhor të manipuluar nga FSHF.

“Bashkia e Tiranës është aksionere e Klubit të Futbollit “Tirona”, prandaj askush të mos ngatërrojë përkatësinë time në PS me përfshirjen time si aksioner në këtë proces zgjedhor të manipuluar nga beu i FSHF-së, apo të nxjerrë jashtë konteksti një bisedë djemsh, si në çdo fushë futbolli para ndeshjes! “Pavarësia” e FSHF-së nuk mund të jetë gjethe fiku për një mbret lakuriq që është kthyer në neverinë e aksionerëve e dashamirësve të futbollit shqiptar, i cili thjesht nuk e ka pëlqimin tonë si një prej aksionerëve”, shkruan Veliaj.

Leave A Reply

Your email address will not be published.