Enkelejd Alibeaj në Kuvend i drejtohet Gjykatës Kushtetuese: Nuk duhet të kërkoni lëmoshë te qeveria

0 170

Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka deklaruar në Komisionin e Ligjeve se institucionet e pavarura, si Gjykata Kushtetuese apo organe të tjera të drejtësisë nuk duhet të drejtohen te qeveria për të kërkuar fonde në lidhje me shpenzimet për punën e saj.

Ai tha se misioni i tyre është të kontrollojnë qeverinë duke shtuar se kërkesa e tyre për buxhet shtesë duhet të miratohet direkt nga parlamenti.

“Situata që krijohet në Komision të Ligjeve apo në parlament dhe sidomos në Gjykatën Kushtetuese është surreale. Sepse jemi në një situatë kur ajo vihet të lypë para dhe ne futemi në teatër absurd dhe japim lëmoshë për qiranë e makinave, për ndonjë rregullim te godina që nuk i bën nder institucionit.

Vetëm në këtë rast nuk ka nevojë për ndryshime ligjore sepse po citon ligjin e miratuar ku thuhet se Gjykata Kushtetuese administron në mënyrë të pavarur buxhetin e saj. Kjo është një shkelje e cila ndodh sistematikisht në këtë parlament. Institucionet e pavarura nuk duhet të shkojnë dhe lypin lekë të qeveria sepse misioni i tyre është të kontrollojnë qeveria. Ata duhet të vijnë në parlament dhe ne të miratojmë kërkesat e tyre.

Ata nuk duhet t’i kërkojmë mëshirë qeverisë për mbështetje financiare. Kjo pra ishte ajo që doja të thoja të ngelet në dokumentacion dhe kush ka dëshirë të nxjerrë edhe leksionet e veta. Ndryshe do përsëritet e njëjta skemë. Për mëshirë ju japin disa lëmoshë dhe ku shkoi e gjithë pavarësia”, deklaroi ai.

Nga ana tjetër drejtuesja e Komisionit Klotilda Bushka deklaroi se çdo gjë funksionon në bazë të një kuadri të përcaktuar ligjor për të gjitha institucionet.

“Zoti Alibeaj ka një kuadër ligjor. Edhe Kuvendi është organ i pavarur por edhe Kuvendi ndjek të njëjtin rregull buxhetor për të kërkuar plotësimin e nevojave të veta. Ka rregulla dhe standarde si administrohet buxheti. Ka një procedurë dhe një praktikë gjyqësore dhe institucionale. Ushtroni të drejtën e deputetit dhe jepni alternativa si kjo gjë mund të bëhet më mirë”, tha Bushka.

Leave A Reply

Your email address will not be published.