Presidenti i Zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden njoftoi sot përbërjen e një grupi pune të ekspertëve shëndetësorë, të cilët do të planifikojnë luftën kundër pandemisë së Covid-19. ”Grupi i punës do të ndihmojë në formësimin e qasjes time për të menaxhuar rritjen e infeksioneve të reja, duke siguruar që vaksinat të jenë të sigurta, efektive, efikase, të shpërndara në mënyrë të barabartë dhe falas, dhe mbrojtjen e grupeve me rrezik të lartë”, tha presidenti i ri.
Grupi do të bashkë-kryesohet nga Vivek Murthy, njeriu i parë amerikan i shëndetit publik në mandatin e Barack Obamas, i cili u shkarkua nga Donald Trump dhe ish-kreu i Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA), David Kessler. Kreu aktual i grupit të punës për luftën kundër coronavirusit, dr. Anthony Fauci nuk është emëruar ende në trupin e Bidenit.
Biden është një kritik i shpeshtë i qasjes së presidentit republikan, Donald Trump për menaxhimin e pandemisë. Trump vazhdon të refuzojë të pranojë humbjen në zgjedhje dhe ka ngritur një seri padish për të sfiduar rezultatet në disa shtete. Analistët besojnë se këto procese ligjore nuk mund të ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Anëtarët e mbetur të grupit të punës janë:
Rick Bright
Ekspert i vaksinave, i cili dha dorëheqje në krye të Ministrisë së Shëndetit dhe Shërbimeve Sociale muajin e kaluar pasi pretendoi se ishte ulur në gradë për arsye politike.
Rick Goosby
Ekspert i sëmundjeve infektive, i cili më parë ka shërbyer në administratat Obama dhe Clinton.
Luciana Borio
Më parë ka punuar në Administratën e Ushqimit dhe Barnave si udhëheqëse e departamentit shkencor.
Ezekiel Emanuel
Onkolog dhe këshilltar i Bidenit, i cili është nënkryetar i nismave globale në Universitetin e Pensilvanisë dhe më parë ka shërbyer në administratën e Obamës.
Michael Osterholm
Drejtor i Qendrës për Kërkimin dhe Politikën e Sëmundjeve Infektive në Universitetin e Minesotës.
Atul Gawande
Mjek i shquar, studiues i shëndetit dhe shkrimtar, i cili shërbeu si këshilltar i lartë në Departamentin e Shëndetit dhe Shërbimeve Sociale në administratën e Bill Clintonit.
Loyce Pace
President dhe CEO i Këshillit Global të Shëndetit.
Julie Morita
Nënkryetare ekzekutive e Fondacionit Robert Wood Johnson dhe ish komisioner i shëndetit në Chicago.
Celine Gounder
Asistent profesoreshë e mjekësisë dhe sëmundjeve infektive në Universitetin e New Yorkut.
Robert Rodriguez
Profesor i mjekësisë urgjente në Universitetin e Kalifornisë, Shkolla e Mjekësisë e San Franciscos.