E përjashtoi nga PD, Nishani për Bashën: Do t’ia sekuestrojmë pasuritë e paligjshme

0 141

Mbështetësit e lëvizjes së ish-Kryeministrit Sali Berisha kanë akuzuar Lulzim Bashën se në protestën e 8 Janarit kishte patur brenda selisë persona me precedentë kriminalë.

Ish-Presidenti Bujar Nishani, pjesë e lëvizjes “Foltorja”, thotë se këta persona janë identifikuar dhe shprehet që sapo Partia Demokratike të marrë pushtetin, do të arrestohen dhe do të dalin përpara drejtësisë.

Të njëjtin paralajmërim Bujar Nishani e bëri edhe për Lulzim Bashën, sipas të cilit, kryedemokrati është duke përdorur siglën dhe emrin e PD-së, e për këtë do të akuzohet për falsifikim. Kjo pasi lëvizja e Sali Berishës, në Kuvendin e 11 Dhjetorit 2021, e shkarkoi Lulzim Bashën si kryetar të partisë.

Nishani deklaroi në klan gjithashtu se sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet, Lulzim Bashës do t’i sekuestrohet çdo pasuri e paligjshme që ka krijuar gjatë 8 viteve në opozitë kur mori drejtimin e PD-së në vitin 2013.

“Unë përfitoj nga rasti që t’ju them gjithë këtyre individëve me rekorde kriminale dhe Lulzim Bashës si kapo i tyre, të rikthejnë pak kujtesën se ç’ka ndodhur me individë të ngjashëm në periudhën 2005-2009 kur Partia Demokratike erdhi në pushtet, i gjetëm nga “vrima e miut” të gjithë ata që kishin kryer veprime kriminale në të shkuarën dhe i sollëm me pranga në duar dhe në këmbë para drejtësisë.

Dhe këtyre po u them që nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet. Edhe Lulzim Basha nuk do t’i shpëtojë drejtësisë sapo Partia Demokratike të vijë në pushtet.

E garantoj Lulzim Bashën edhe të gjithë qytetarët që në ndjekin, se Lulzim Basha jo vetëm që do të vihet para drejtësisë për aktet e rënda kriminale dhe penale që ka kryer këto ditë, të falsifikimit që ka kryer përmes përdorimit të siglës, emrit të Partisë Demokratike, është një falsifikim i pastër, dhe njëkohësisht do të hetohet dhe do t’i sekuestrohet çdo pasuri e paligjshme që ka vendosur në këto 8 vite duke shfrytëzuar postin e kryetarit të Partisë Demokratike.

Këtë unë e garantoj ndoshta sot, është nga gjërat e vetme që mund t’ju garantoj që do ndodhi që në momentet dhe ditët e para të qeverisjes së Partisë Demokratike”, deklaroi Bujar Nishani.

Leave A Reply

Your email address will not be published.