Dokumentet e aferës me plehrat e Durrësit: Sako-Dako, pazar 50 mln euro me Zoton

0 190

Bashkia e Durrësit do të paguajë një faturë prej 50 milionë eurosh në 10 vite për të dërguar mbetjet në landfillin e Sharrës. Por faturimi i një detyrimi të tillë ndaj qytetarëve është bërë me një procedurë të dyshimtë, ku kjo bashki kishte si alternativë zgjidhje 10 herë më të lirë. Bashkia rrëzoi alternativën e ndërtimi të një landfilli në Durrës me një kosto shumë herë më të ulët për t’i dhënë 10 fishin kompanisë së Klodian Zotos.

Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako dhe Këshilli Bashkiak i qytetit hoqën dorë nga ndërtimi i landfillit të plehrave me vlerë 5 deri në 10 milionë euro, për të depozituar mbetjet në landfillin privat të Sharrës, për një vlerë gati 10 herë më të lartë, në total 50 milionë euro.

Në qershor të vitit 2020, Bashkia e Durrësit shpalli gjendjen e emergjencës mjedisore, pas mbylljes nga qeveria të landfillit të Porto Romanos.

Në 1 shtator 2020, bashkia i drejtohet qeverisë, duke i propozuar tre alternativa për zgjidhjen e situatës së plehrave.

Varianti i parë ishte ndërtimi i një landfilli në Sukth-Radë, me vlerë 11 milionë euro. I dyti ishte një landfilli në Gjepalaj, me vlerë 5.1 milionë euro dhe i treti depozitimi në Sharrë, me vlerë 51 milionë euro.

Të dhënat gjenden në një relacion të qershorit 2021, të nënshkruar ndër të tjerë edhe nga Drejtoresha e Buxhetit në Bashkinë e Durrësit, Valbona Qirjako, motra e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako.

Në atë dokument i propozohet Emirjana Sakos që t’i marrë autorizimin Këshillit Bashkiak për të nënshkruar kontratë me koncesionarin e Sharrës, “Integrated Energy BV”, e cila ka pasur drejtor të parë Klodian Zoton.

Qirjako informon Sakon se propozimet e tyre për Sukthin dhe Gjepalajn nuk kanë marrë përgjigje nga qeveria, ndërsa vetë bashkia nuk ka mundësi financiare për të ndërtuar landfill.

Këshilli Bashkiak një-ngjyrësh e miratoi këtë propozim. Por të dhënat e publikuara më vonë dëshmojnë se llogaritë janë shumë më ndryshe.

Në korrik 2021, qeveria miraton mbështetjen financiare për projektin 50 milionë euro të depozitimit të plehrave të Durrësit në Sharrë.

Qeveria merr përsipër që të financojë depozitimin, në vlerë totale 38 miliardë lekë të vjetra. Ndërsa pjesa tjetër, mbi 20 miliardë lekë ose rreth 15 milionë euro, e cila do të përdoret për transportin e mbetjeve për 10 vjet, do të mbulohet nga Bashkia e Durrësit.

Pra, bashkia kishte mundësi të siguronte 15 milionë euro për transportin e mbetjeve në Sharrë, por nuk gjente dot 5 deri në 10 milionë euro për ndërtimin e landfillit në Sukth apo Gjepalaj.

Leave A Reply

Your email address will not be published.