Partitë Popullore Europiane kanë dalë sot me një qëndrim për situatën politike në Shqipëri. PPP i kërkon qeverisë “Rama” të përfundojë reformën sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe sipas marrëveshjes politike të 5 qershorit.
Por ajo që bie në sy në qëndrimin e PPE, forumi i partive të djathta të BE, është fakti se çështja e Shqipërisë është diskutuar në të njëjtën rend dite me Bjellorusinë. Shqetësimi në të dy rastet lidhet me standardet demokratike dhe mungesën e shtetit ligjor.
Ish-deputetja Nora Malaj shprehet se me qeverinë “Rama” Shqipëria është bërë gazi i botës. “Fol Europa po kujt t’i flasi thuaj?! Kjo të kujton atë shprehjen popullore: “Fol o mur , fol o gur, fol atij që nuk dëgjon kurrë!“. Çfarë trishtimi! Jemi bërë gaz i botës me këta sharlatanë që na drejtojnë!”,- shkruan Nora Malaj në një postim në Facebook.
Deklarata e plotë e Partive Popullore Europiane:
“PPE mbështet plotësisht udhërrëfyesin e Shqipërisë drejt integrimit në BE, duke përfshirë zgjedhjet e lira dhe të ndershme si një parakusht themelor.
Reforma zgjedhore e 5 qershorit u miratua në mënyrë konsensuale dhe u mbështet ndërkombëtarisht dhe duhet të zbatohet siç ishte rënë dakord. Ndryshimet e njëanshme në këtë fazë, janë kundër rekomandimeve të OSBE/ODIHR si dhe kundër vendimit të Këshillit të BE për hapjen e negociatave të pranimit.
PPE nxit heqjen dorë nga çdo ndryshim i njëanshëm dhe respektimin e marrëveshjes konsensuale sipas zotimeve”.