Atentati ndaj Gjinit, në kërkim djali me çantë të kuqe

0 292

Detaje të reja dalin në dritë nga atentati me lëndë shpërthyese që iu bë Preng Gjinit, mbrëmjen e 15 shtatorit në Tiranë, teksa po udhëtonte me makinën e tij. Kamerat e sigurisë në zonën ku ndodhi shpërthimi, në urën pranë ish-stacionit të fundit të Tiranës së Re, kanë fiksuar një person, të veshur me xhinse blu dhe bluzë të zezë, i cili mbante një çantë të kuqe në shpinë. Personi në fjalë, shihet teksa largohet me vrap nga vendngjarja.

Për ecurinë e hetimeve lidhur me këtë ngjarje, kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj, ka thërritur këtë të enjte në takim krerët e Policisë së Tiranës. Hetuesit dyshojnë se ky person i fiksuar nga kamerat ka bërë pikërisht shpërthimin e telekomanduar, çka hedh poshtë pistën fillestare të hetimeve, sipas së cilës, Gjini ishte ndjekur nga një tjetër automjet. Personi në fjalë, i cili për momentin duket se është kyç për hetimet, është fiksuar edhe nga kamera të tjera të zonës duke qëndruar në afërsi të vendit të ngjarjes para shpërthimit.

Sipas hetuesve, atentati është rezultat i një serie të gjatë hakmarrjeje, që e ka zanafillën te trafikimi i lëndëve narkotike. Hetuesit dyshojnë se përplasjet mes tyre kanë nisur në Itali për shkak të prishjes së pazareve të drogës mes Gasper Reçit dhe Preng Gjinit. Në vitin 2017 në Romë u ekzekutua Gasper Reçi, ndërsa konfliktet mes dy fiseve u kanë marrë jetën 5 personave.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.