Akuzohet për vrasjen e 31-vjeçarit, “Kobra” flet për herë të parë nga salla e gjyqit

0 157

Dibran Hoxha, i njohur me nofkën “Kobra”, ka folur për herë të parë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e ditës së djeshme në lokalin e tij në Prizren, ku mbeti të vdekur një 31-vjeçar nga Kukësi, Visart Cengu dhe u plagos shoku i tij.

“Kobra” ka dalë sot para gjykatës dhe ka thënë para trupit gjykues se vëllai i tij, Enver Amrallahu, nuk kishte qenë në vendin e ngjarjes gjatë konfliktit, por sipas tij, kishte shkuar pasi kishte ndodhur krimi.

“Pajtohem me fjalët e avokatit, veç deshta me shtu diçka në lidhje me Enver Amrallahun, ky është vëllau prej nanës. Ky ka ardhë masi ka ndodhë, masi ka ni prej tjerëve që ka ndodh diçka në lokal, ka ardhë masi me policinë mrapa krejt kur janë marrë deklaratat krejt, kanë ardhë e kanë nxanë aty si vlla”, tha i dyshuari Hoxha.

Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxha akuzohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “armëmbajtje pa leje” dhe “manipulim provash”, ndërsa të ndaluarit e tjerë Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, akuzohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Gjykata ka vendosur këtë të mërkurë t’i lërë në burg të arrestuarit.

“Më dt 03.01.2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxha, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.