Një aksident i rëndë i mori jetën disa ditë më parë katër shqiptarëve në Itali. Më 30 tetor humbën jetën Shane Hyseni, 22 vjeçe, djali i saj 2-vjeçar Mattias dhe motra e vëllai i 22-vjeçares, Rejana e Resat Hyseni, 8 dhe 11 vjeç.
Ndërkohë drejtuesi i automjetit, Orjol Lame, 32 vjeç, bashkëshorti i Shane Hysenit dhe babai i Mattiasit të vogël ndodhet ende i shtruar në gjendje të rëndë, në reanimacionin e spitalit Santa Maria Nuova.
Nga analizat toksikologjike ka rezultuar se 32-vjrçari ka qenë i dehur dhe nën efektin e drogës.
Mostrat tashmë do të dërgohen në institutin toksikologjik në Modena për të verifikuar gjithçka. Nëse edhe aty do të konfirmohen rezultatet ato do të dërgohen në gjyq si prova kundër 32-vjeçarit, pozitat e të cilit tashmë përkeqësohen akoma më shumë.
Siç u konfirmua të martën, Prokuroria në Reggio Emilia ka nisur hetimet për vrasje në rrugë. Hetuesit kanë konstatuar se makina ka qenë e pa kontrolluar dhe pa sigurim. Po ashtu, ajo ishte e regjistruar në emër të një personi i cili ka ndërruar jetë gjatë këtij viti. Tashmë hetuesve u ka lindur një detyrë e re që të zbulojnë se si e ka marrë 32-vjeçari mjetin. Një ndër hipotezat që kanë hetuesit është ajo e blerjes së mjetit në të zezë. Hetimet janë fokusuar edhe tek e shkuara e Orjol Lames, i cili ka precedentë penalë dy vite më parë.
Mediat italiane shkruajnë se hetuesit po shqyrtojnë pista të ndryshme. Policia bashkiake po vazhdon analizimin e gjetjeve në përpjekje për të rindërtuar dinamikën e aksidentit. Në fakt, nuk ka asnjë gjurmë frenimi në asfaltin e via Neëton, ndërsa automjeti ishte duke ecur me shpejtësi të madhe.