Deputetja dekonspiron planin e ministrit Sandër Lleshaj

0 367

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj përpos përgjimeve,ka çuar në Kuvend një plan për t’i marrë prokurorisë edhe kompetencën e hetimeve, duke ia kaluar policisë. Plani për t’i dhënë kompetenca hetimore policisë është dekonspiruar në Komisionin e Sigurisë nga relatorja e projektligjit, Elena Xhina. Kjo e fundit ka pohuar se policia nuk mund të kryejë veprimtari hetimore, por vetëm gjurmuese. Deputetja ka pohuar se nisma ligjore bie në kundërshtim me një sërë nenesh të Kodit të Procedurës Penale, kodi i cili parashikon se veprimtaria hetimore është kompetencë vetëm e prokurorisë.

Diskutimet në Komisionin e Sigurisë për hetimin policor

-Sandër Lleshaj: Për sa i përket ligjit në fjalë, bëhet fjalë për disa ndryshime të vogla dhe, në thelb, kemi dy ndryshime. Së pari, kemi krijimin e Komitetit Kombëtar të Politikave për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar… Për sa i përket përgjimit të pajisjeve telefonike, mbetet i pandryshuar që përgjimi i bisedave telefonike ose i telekomunikimeve rregullohet me ligj të veçantë dhe, në fakt, ligji nuk është prekur, është ai ligj që ka qenë dhe në këtë fushë nuk ka ndonjë risi për sa i përket telefonisë. Tjetër ndryshim është edhe mbikëqyrja e fshehtë e personave të dyshuar për kryerjen e veprimtarive kriminale. Këto janë pak a shumë disa nga gjërat që rregullon ose kompetencat që ligji i njeh policisë, në fakt, ka qenë edhe me ligjin e mëparshëm, këtu janë futur dy-tri gjëra që kanë të bëjnë kryesisht me gjurmimin e vendndodhjes…. Paketa gëzon konsensusin e të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë proces. Në këtë proces janë përfshirë të gjithë ata që kanë lidhje me këtë çështje në Shqipëri dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët po ashtu kanë qenë pjesë e konsultimeve për këtë paketë ligjore.

-Elena Xhina, relatore: Ne si komision përgjegjës, duhet të jemi të kujdesshëm, për sa kohë që bëhet fjalë për aspekte kryesore që prekin liritë dhe të drejtat e njeriut. Lidhur me këtë aspekt dhe me këto ndryshime, na ka ardhur edhe një opinion nga Prokuroria e Përgjithshme, kështu që unë dua t’i referohem në analizën që do bëj, duke iu referuar edhe fjalës së ministrit, që ky projektligj është konsultuar me shumë aktorë, subjekte dhe persona të interesuar. Doja të kishim një tabelë të konsultimit në dispozicion të komisionit, për ta parë edhe ne se kush ka dhënë mendime lidhur me këto ndryshime të këtij projektligji dhe mendimet që janë paraqitur konkretisht. Nëse do t’u referoheshim ndryshimeve, vërtet janë të vogla, por në fakt prekin aspekte thelbësore të ligjit. Kështu, duke filluar me ndryshimin e parë që shton një pikë te neni i përkufizimeve, konkretisht shton pikën 29/1, që bëhet fjalë për procedimin policor, i është dhënë një përkufizim këtij procedimi dhe në të dhëna do t’i referohem këtij përkufizimi, dhe kjo është detyra jonë që t’i referohemi atij. Do të shohim se përveç veprimtarisë gjurmuese, e cila tashmë është një e drejtë që policia e ka në ligjin e saj, do të shtrohet edhe një veprimtari hetimore.

Pikërisht kjo ka ngritur shqetësim te rrethi i juristëve dhe te Prokuroria e Përgjithshme, pasi tashmë dihet gjerësisht dhe njohur botërisht, në gjithë legjislacionin, që veprimtaria hetimore rregullohet në Kodin e Procedurës Penale dhe i përket vetëm prokurorit dhe Policisë Gjyqësore, e cila e zbaton këtë veprimtari, nën drejtimin e prokurorit. Në këto kushte, sepse në fakt unë kam edhe disa pyetje, në lidhje me aktin, por nuk e di nëse mund t’ia bëj z. ministër, mbasi janë pyetje të natyrës juridike dhe nuk e di nëse do më përgjigjet, por ekspertët që kanë formuluar këtë ligj, nuk e di nëse kanë bërë një referim të Kodit të Procedurës Penale, sepse vëmë re që disa nene të Kodit të Procedurës Penale bien në kundërshtim të hapur me këtë procedimin policor, që na përkufizohet si një veprimtari, përveç asaj gjurmuese edhe hetimore. Në këtë kushte, nëse do të flasim për procedim, ne mund t’i referohemi vetëm Kodit Penal dhe sidomos, nëse do të flasim për veprimtari hetimore, do t’i referohemi vetëm Kodit të Procedurës Penale, por nuk mundet që vetë policia të kryejë veprimtari hetimore, përveç strukturave të policisë Gjyqësore, që janë të rregulluara edhe me ligj të veçantë, por edhe në Kodin e Procedurës Penale.

Nëse do të rrija të përmendja nenet e Kodit të Procedurës Penale, do të ishin disa, duke filluar nga neni 30 deri te nenin 33, të cilat rregullojnë veprimtarinë e Policisë Gjyqësore, do të vazhdoja me nenet 293-303, që rregullojnë veprimtarinë legjislative të Policisë Gjyqësore, do të vazhdoja me nenin 277, i cili e thotë qartazi në Kodin e Procedurës Penale se organet që kryejnë veprimtarinë hetimore janë prokurori dhe Policia Gjyqësore. Pra, shohim që kemi një përplasje të hapur, në fakt, midis dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe ndryshimeve që kërkohen dhe nuk mundet, që një ligj i miratuar me shumicë, të mund të preket nga një ligj me shumicë të thjeshtë, sepse kemi parasysh hierarkinë e akteve të parashikuara në Kushtetutë, rregullore, që ne kurrsesi nuk mund ta cenojmë me ligjet që miratojmë në Parlament, sepse respektimi i hierarkisë së akteve normative është një detyrim që rrjedh nga parimi i shtetit të së drejtës, si dhe është në koherencë me sistemin ligjor.

-Sandër Lleshaj: Dua të them diçka në thelb për ato që pyeti zonja Xhina, sepse, me sa pashë, ishte e shqetësuar për termin “hetim policor”. Nuk e di se çfarë përfaqëson zonja Xhina nga pikëpamja profesionale, por besoj se duhet të jetë juriste dhe juristët për Shqipërinë flasin vetëm për hetimin penal ose procedural, sepse, në përgjithësi, në legjislacionin tonë çështja e hetimit policor është e munguar, ndërkohë që të gjitha policitë normale në planet zhvillojnë hetim policor. Hetimi policor është hetim që synon parandalimin. Si mund të bëhet parandalimi i një vepër penale nëse policia nuk vepron?! Në thelb hetimi policor i shërben parandalimit dhe në thelb hetimi parandalues nuk është atribut i prokurorisë. Edhe ne legjislacionin shqiptar, edhe sot, prokuroria ka hetimin procedural, i cili pastaj përfundon me akuzë dhe ndjekje penale. Hetimi policor, i cili nuk synon të vijohet me një hetim procedural dhe të përfundohet me akuzë, por synon të parandalojë kryerjen e krimit, është atribut ekskluziv i policisë. Nuk ka asnjë kontradiktë. Për këtë jam konsultuar me të gjithë juristët dhe me partnerët më të mirë që kemi. Policisë shqiptare dhe legjislacionit shqiptar i mungon ky atribut për të bërë hetim policor, pra për të bërë atë që duhet të bëjë…

-Elena Xhina: Unë e falënderoj ministrin për shpjegimet. Unë si relatore e këtij projektligji mund të bëj komente dhe pyetje, besoj se është e drejta ime, pavarësisht se çfarë përfaqësoj. Por unë dua t’i them zotit ministër se shqetësimet që kam ngritur janë ngritur edhe nga Prokuroria e Përgjithshme. Meqenëse ju vini në dyshim nivelin tim profesional, besoj nuk vini në dyshim nivelin e tyre profesional. /Report Tv/

Leave A Reply

Your email address will not be published.