Hapja e çerdheve dhe kopshteve më një qershor do të jetë sfida e vërtetë për shtetin. Për ish-zv ministren e Arsimit, Nora Malaj, do të duhet që të tregohet një përgjegjësi shumë e madhe për sa i përket rifillimit të punës me fëmijët dhe fokusi duhet të jetë edhe te mënyra sesi do ta përjetojnë psikologjikisht ata kthimin në çerdhe e kopshte. Përmes një postimi në facebook, ajo thotë se ”Përtej higjienës dhe standardit që duhet të jetë detyra themelore dhe e dedikuar e që në këtë rast duhet shtuar dhe personeli mendoj, domosdoshmëri është edhe mënyra sesi do të sillen fëmijët, duhet të ketë një program të dedikuar post traume, duhet futur roli i psikologut dhe punonjësit social në institucionet e parashkollorit dhe çerdheve. Tani është sfida që duhet ta kalojmë të gjithë bashkë”.
3 janë sugjerimet për Ministrinë e Arsimit
“Do të vija theksin te tre momente shumë të rëndësishme që lidhen e para me higjienën pastëritnë dhe dezinfektimin, të bëhet të paktën një herë në 3 muaj në kopshte për të gjitha nevojat që janë të dedikuara për këtë institucion. E njëjta gjë edhe për çerdhet. E dyta, të merren masa që të këtë kujdes të dedikuar, sepse fëmijët nuk i ruajnë dot distancat vetë. Ministritë e linjës duhet të bëjnë menaxhim hap pas hapi në ndihmë të institucioneve”, tha Malaj.
Ish deputetja e LSI e konsideron këtë moment sfidë edhe për vetë kryeministrin Rama. Ajo kritikon numrin një të qeverisë për përzgjedhjen e facebook si mënyrë për të komunikuar rregullat e reja që iu imponuan vendit në periudhën e pandemisë.
“Kjo është prova më e madhe që i bëhet qeverisë. Nëse qeveria është qeveria që deri tani ka bërë sikur, nëse e ka paraqitur realitetin ndryshe, apo nëse qytetarët janë të gatshëm që të mbrojnë fëmijët e tyre. Të mos bëjmë më histori që kopshtet drejtohen me Facebook. Ne nuk duhet të drejtohemi më me histori facebook-u. Shteti udhëhiqet me ligje, me urdhra, me mekanizma dhe me to duhet tu shërbejë taksapaguesve shqiptarë” përfundon Nora Malaj.
Disa ditë më parë u zyrtarizua dhe vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve për të hapur kopshtet dhe çerdhet si dhe u publikua udhëzuesi i ISHP, ku u caktuan edhe rregullat anticovid.