150 pasagjerët e bllokuar në Zvicër, pas shumë orë pritje, mësohet se do të fluturojnë drejt aeroportit te Rinasit. Pas apelit që ata bënë që prej mbrëmjes së djeshme, mësohet se është arritur marrëveshja mes Ministrisë së Transporteve dhe kompanisë “EdelWeiss”. Mes pasagjereve që kaluan natën në aeroport kishte edhe fëmije e të moshuar, disa prej tyre pas një udhëtimi të gjatë, si nga SHBA apo Kanadaja.
Bllokimi për orë të tëra në aeroport ndodhi për shkak se vendi ynë nuk kishte marrëveshje për hapje të kufijve ajrore me Zvicrën, por vetëm me Austrinë, Serbinë dhe Greqinë. Kompania Zvicerane “Edelweiss” tha për “Euronews Albania” se vendimi u mor në shumë pak kohë dhe ishte i pashpjegueshëm për to.
”Për shkak të ndalimit të hyrjes së personave jashtë BE-së në Zvicër, këtë të hënë Shqipëria ndaloi lejimin e fluturimeve të “Edelweiss” nga Zyrihu drejt Tiranës. Ky vendim u mor në shumë pak kohë, pavarësisht të drejtave ekzistuese për trafikun, ndaj Edelweiss e sheh si të pashpjegueshme. Për këtë arsye, fluturimi WK 412 u anulua”.
Nga ana tjetër, thuhet se ”Udhëtarët që vinin nga vendet e Shengenit kaluan në fluturime të tjera brenda të njëjës natë dhe u kthyen në vendin prej ku ishin nisur. Udhëtarët e tjerë do të mbahen nën kujdesin e aeroportit të Zyrihut, pasi nuk mund të futen në Zvicër apo në zonën Shengen, për shkak të kufizimeve. Edelweiss shpreh keqardhje për udhëtarët e prekur dhe po punojmë me “Zyrën Fedrale Zvicerane të Aviacionit Civil”, me “Departamentin Federal të Punëve të Jashtme” dhe me ambasadën zvicerane në Tiranë, për të gjetur një zgjidhje të shpejtë”.