Zyrtarët e arrestuar, mbi 2 milionë dollarë dëm shtetit. E përfshirë edhe FBI-ja

0 283

Gjashtë zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ranë në prangat e policisë gjatë operacionit të koduar akciza. Simon Marku, Arben Doda, Naim Kasa, Denis Durrsi, Qani Hoxhaj, u arrestuan pas fletarresteve të lëshuara nga prokuroria, ndërsa një 35-vjeçare u la në ”arrest shtëpie”.

Sipas akuzës, në kërkim është biznesmeni Isuf Berberi, aksioner i kompanisë “Phoenix Petroleum”, si dhe Klodian Gradeci, ish-drejtor i OST-së. Zyrtarët e AKBN-së, së bashku me 2 personat e shpallur në kërkim akuzohen për mashtrim me pasoja të rënda, kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë, fshehje të ardhurash dhe shpërdorim detyre.

Sipas prokurorisë, procedimi nisi pas kallëzimit të bërë nga drejtori i shoqërisë “ALBpetrol”. Hetuesit thanë se shoqëria e drejtuar nga Naim Kasa, i prangosur dhe Isuf Berberi me marrëveshje hidrokarbure të miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe të ndjekur për ecurinë e saj nga AKBN ka shfrytëzuar disa puse nafte. Me qëllim plotësimin e detyrimeve për investimet e detyrueshme në këto puse dhe duke mos i realizuar ato, në të vërtetë shoqëria kishte paraqitur pranë AKBN 8 fatura të falsifikuara për shërbime, të cilat në të vërtetë nuk ishin kryer nga një kompani amerikane.

Falsiteti është konfirmuar dhe nga autoritete gjyqësore amerikane në një total prej 1,299 milionë dollarë. Punonjësit e AKBN certifikuan faturat e paligjshme, duke i zyrtarizuar punimet si të kryera. Zyrtarët e tatimeve, Simon Marku dhe Arben Doda, përpiluan një raport kontrolli të paligjshëm duke i shkaktuar administratës së tatimeve një dëm prej 568 mijë dollarësh, ndërsa AKBN në total ka pësuar dëm prej 1,472 mijë dollarësh.

Në këto hetime përveç Prokurorisë shqiptare është e përfshirë edhe FBI, e cila u angazhua pas kërkesës së letërporosisë për të konfirmuar se nuk kishte partneritet mes kompanisë shqiptare dhe asaj amerikane.

Si ka nisur e gjitha?

Hetimet për çështjen kanë nisur mbi bazën e kallëzimit penal të drejtorit të përgjithshëm të shoqërisë “Albpetrol Sh.A’. Nga hetimet ka rezultuar se shoqëria “Phoenix petroleum” ( me drejtues Naim Kasën dhe Isuf Berberin) e cila me marrëveshje Hidrokarbure të miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe të ndjekur për ecurinë e saj nga AKBN ka shfrytëzuar disa puse nafte.

Me qëllim plotësimin e detyrimeve, pra investimeve të detyrueshme për këto puse nafte dhe në kushtet kur këto investime nuk i ka kryer , kjo shoqëri ka paraqitur në AKBN tetë fatura të falsifikuara për shërbime që realisht nuk i ka përfituar kompania amerikane “Black Swan Energy Service”.

Falsifiteti i këtyre faturave është konfirmuar nga autoritetet gjyqësore amerikane dhe vlera totale e tyre është 1.3 milion dollarë. Punonjësit e AKBN të arrestuar (Denis Durrsi, Qzni Hoxhaj, Rezarta Qose) dhe i shpalluri në kërkim Klodian Gradeci kanë certifikuar në mënyrë të paligjshme punimet e pakryera të pasqyruara në këto fatura si të kryera.

Po kështu, punonjësit e administratës tatimore (Arben Doda dhe Simon Marku) kanë përpiluar një raport kontrolli në kundërshtim me ligjin duke bërë që kjo administratë të pësojë një dëm prej 568000 dollarë. Dëmi që ka pësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë AKBN nga veprimet e paligjshme të punonjësve të saj është më shumë se 1.4 milion dollarë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.