Aleanca për Mbrojten e Teatrit, ka dorëzuar këtë të enjte edhe një tjetër padi në SPAK, lidhur me shembjen e Teatrit Kombëtar. Regjisori Edmond Budina, në një deklaratë për gazetarët, tha se artistët do tu rrinë pas qafe atyre që kryen këtë krim monstruoz.
”Njerëzit do të përgjigjen për atë që dinë. Do jepen dëshmitë e tyre për gjithçka që ka ndodhur atë natë. Ne kemi një shprehje nga anët tona, të ardhtë pas qafe. Edhe ne do tu rrimë pas qafe këtyre, të gjithë atyre që kanë kryer atë krim monstruoz për të cilën është lemerisur e gjithë bota, ne do tu rrimë pas qafe, nuk do të heshtim”.
Nga ana tjetër, Budina theksoi se policia është kthyer në një polici baxhibuzukësh pasi kanë vjedhur rrobat e tyre personale madje dhe biçikletat atë natë. ”Këta gënjejnë nga mëngjesi deri në darkë. Kryeministri ka thënë forcat Renea nuk kanë qenë fare në teatër ndërsa Ministri i Brendshëm tha kanë qenë sepse kishin të dhëna për ekploziv. Si e shembe atë duke menduar se aty kishe eksploziv? Këtu ka një monstruozitet të jashtëzakonshëm. Policia është kthyer në një polici baxhibuzukësh. Edhe objeket tona personale janë vjedhur atë nate, vlera është e konsiderueshme, kalon mijëra euro dhe asgjë nuk është kthyer. Ata të gjitha i shkatërruan aty, edhe biçikletat tona janë gjetur të shitura në pazarin e Tiranës. Ne do t’i qëndrojmë prapa”.
Në hyrje të dokumentit shkruhet ”Ne kallëzuesit si pjesë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit (Teatrit Kombëtar dhe Eksperimental) paraqesim sot përpara jush, në vijim të kallëzimeve të bëra që nga data 31.12.2019, edhe këtë kallëzim penal kundër të kallëzuarve prej nesh dhe që konsiston në faktin e njohur botërisht se më 17 Maj 2020, në orën 04:25 në kundërshtim të hapur me dispozitat ligjore në fuqi, u shemb godina e Teatrit Kombëtar dhe Eksperimental nga Policia e Shtetit, Policia Bashkiake dhe Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit”.