Tensionet në veri të Kosovës jehonë në mediat ndërkombëtare, “BBC”: Serbia vendos në gatishmëri ushtrinë

0 157

Situata në Veri të Kosovës mbetet e tensionuar, sidomos pas sulmit me armë që u shënua mbrëmjen e së dielës në afërsi të patrullave të KFOR në Zubin-Patok duke shkaktuar kështu reagime nga të dyja palët.

Tensionet në veri të Kosovës janë bërë tashmë ‘jehonë’ edhe në mediat ndërkombëtare teksa raportojnë zhvillimet më të fundit të ndodhura në vend.

BBC raporton se Serbia ka rritur gatishmërinë e ushtrisë, pas sulmeve të zhvilluara në Zubin Patok dhe mbledhjes së qeverisë nga ana e kryeministrit Albin Kurti, së bashku me KFOR dhe EULEX.

BBC shkruan se Presidenti Aleksandër Vuçiç ka pretenduar se do të marrë të gjitha masat për të mbrojtur popullin dhe për të ruajtur Serbinë. Po ashtu Vuçiç, siç raporton dhe media e huaj, është shprehur se Prishtina po përgatit “një sulm” ndaj zonave etnike serbe në veri të Kosovës.

BBC vijon me raportimin, duke shkruar se qeveria në Prishtinë nuk ka bërë asnjë koment lidhur me këto akuza, por më parë ka akuzuar Vuçiçin se po luan “lojëra” për të nxitur telashe.

Nga ana tjetër shkruan BBC, Bashkimi Evropian është përpjekur të ndërmjetësojë.

‘Blloku prej 27 anëtarësh po bën thirrje për përmbajtje maksimale dhe veprim të menjëhershëm” dhe që krerët e Serbisë dhe Kosovës “të kontribuojnë personalisht për një zgjidhje politike”. Serbia refuzon ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Kosova, e cila ka një shumicë dërrmuese shqiptare etnike, u shkëput nga Serbia pas një lufte në 1998-99.
NATO, e cila ka trupa paqeruajtëse në Kosovë, u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin provokimet. BE-ja ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë sulme ndaj policisë së BE-së ose akte kriminale’, shkruan BBC.

Lidhur me zhvillimet më të fundit në veri të Kosovës, vëmendje i kanë kushtuar edhe mediat britanike.

The Guardian gjithashtu raporton se Serbia ka shtuar gatishmërinë e ushtrisë, duke theksuar marrëdhëniet gjithnjë e më të tensionuara të vendit ballkanik me Kosovën fqinje për shkak të të shtënave dhe bllokadave të fundit.

The Guardian më tej shkruan se, Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi ka refuzuar ta njohë atë dhe ka inkurajuar 120,000 serbët etnikë të Kosovës që të sfidojnë autoritetin e Prishtinës, veçanërisht në veri, ku serbët etnikë përbëjnë shumicën.

Sipas raportimit të medias britanike, ushtria serbe është vënë gatishmëri për tensionet me Kosovën disa herë në vitet e fundit, herën e fundit në nëntor pasi qeveria pretendoi se disa dronë hynë në hapësirën ajrore serbe nga Kosova.

Gjithashtu edhe The Guardian bën një pasqyrë të nisjes së tensioneve mes dy vendeve dhe zhvillimeve më të fundit, si rritjen e njësisë ushtarake me urdhër të presidentit serb dhe mbërritjen e kreut të ushtrisë serbe në kufirin e Kosovës.

Leave A Reply

Your email address will not be published.