Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, ishte i ftuar në A2 për të komentuar aktualitetin politik në vend. Sipas tij, jemi i vetmi vend në botë që ndryshon Kushtetutën në kohë pandemie.
”Kjo mazhorancë po e kthen Kushtetutën në letër bakalli, e ndryshon sa herë ka nevojë politike. Jo vetëm që po i bën me nxitim, por po i bën në kohë pandemie. Jemi i vetmi vend në botë që ndryshon Kushtetutën në këtë periudhë. Synimi është heqja e koalicioneve parazgjedhore, në mënyrë që të kenë mundësi që votat e partive të vogla të aleancës opozitare t’i marrë partia në pushtet. E drejta e koalicionit parazgjedhor është e parashikuar në Kushtetutë dhe ka qenë gjatë gjithë 30 viteve të fundit. Ramën nuk e ha fare meraku për hapjen e listave, por koalicionet mund të funksionojnë fare mirë edhe me listat e hapura”.
Nënkryetari demokrat, i cili e konsideroi farsë komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, shpjegoi ku ndryshon amnistia fiskale e propozuar nga PD-ja kur ishte në qeveri me amnistinë fiskale të propozuar nga shumica e sotme.
”Amnistia fiskale ndryshon nga iniciativa jonë, pasi kjo mazhorancë është e lidhur me krimin dhe me krimin vjedh zgjedhjet. Nuk mund të bëjë amnisti fiskale një mazhorancë e lidhur me krimin dhe që ka kanabizuar vendin. Nuk kanë qenë këto fenomene kur ne donim të ndërmerrnim amnistinë fiskale. Amnistia sot do ta kthente Shqipërinë në lavatriçe të parave të pista”.