Shqipëri: Pak raste të reja me COVID-19, nga e hëna nis hapja e kujdesshme

0 351

Në Shqipëri zyrtarët e shëndetësisë njoftuan zbulimin edhe të 9 rasteve të reja pozite me COVID-19, pjesa më e madhe e të cilave u përkasin dy vatrave në Kurbin dhe në Kukës.cink

Këto 9 raste të reja dolën nga 231 teste ndaj personave të dyshuar. Nga fillimi i marsit deri sot janë kryer mbi 5 mijë e 300 teste dhe janë zbuluar 548 raste të prekur me COVID-19, ndërsa 26 qytetarë kanë humbur jetën prej saj.

Sipas autoriteteve shëndetësore, Shqipëria ka aktualisht 220 persona të infektuar aktivë, ndërsa numri i të shëruarve është 302. Qytetet më shumë të prekur janë Tirana, Shkodra, Durrësi dhe Fieri.

“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 35 të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 prej tyre janë në pavion. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 43 pacientë” – tha zëvendës ministrja e shëndetësisë Mira Rakacolli.

Qeveria thotë se po e kontrollon epideminë në nivele të kënaqshme, por opozita ka kërkuar shtimin e testeve për të patur një pamje më të madhe të përhapjes së epidemisë, mbylljen e sipërmarrjeve me shumë punëtorë nëpër reparte të mbyllura dhe pagesa për të gjithë personat dhe bizneset e prekur nga karantina.

Në Shqipëri po zbatohet këtë fundjavë një izolim 60 orësh, nga e premtja deri të hënën, ndërsa të moshuarit u lejuan të dilnin nga shtëpitë paraditen e të shtunës pas 4 javë mbyllje të rreptë.

4 fundjavat e mëparshme janë zbatuar mbyllje 40 orëshe të qarkullimit për njerëzit dhe makinat. Këto masa vlerësohet se e kanë dhënë rezultatin e tyre, ndaj të hënën pritet një hapje e kujdesshme për qytetarët dhe një seri biznesesh.

Ashtu si fundjavën e kaluar me pashkën katolike, edhe këtë fundjavë me pashkët ortodokse objektet e kultit janë të mbyllura dhe ceremonitë fetare po mbahen online nga interneti dhe televizioni.

Policia dhe ushtria kanë ndaluar rreptësisht qarkullimin rrugor ndërqytetës dhe këmbësorët në qytete, ndërsa është mbyllur çdo mjedis ku mund të krijohen grumbullime masive të qytetarëve.

Sot po kthehen nga Italia dhe Turqia emigrantët e parë pas një mbyllje të gjatë, një proces që do të vazhdojë disa ditë për ata shtetas shqiptarë, që mbetën jashtë vendit, kur u mbyllën kufijtë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.