Pas thirrjes nga Kuvendi i Shqipërisë, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka propozuar emrin e ri për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Mësohet se është Arben Shehu.
Kreu i Shetit shkruan se Shehu i plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me eksperiencë të gjatë në fushën e së drejtës dhe pedagogjisë.
Sipas Presidentit, mos plotësimi i pozicionit të Drejtuesit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rrezikon të çojë në cenim të ekuilibrit institucional të këtij organi kushtetues me përgjegjësi jetësore për financat publike.
Prandaj ai kërkon që kjo kandidaturë të vlerësohet nën frymën e parimit të luajalitetit kushtetues dhe jashtë interesit politik. Tashmë mbetet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i maxhorancës në Kuvend.
“Dr. Arben Shehu plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret ligjore për t’u emëruar në këtë pozicion, si dhe është një kandidaturë me eksperiencë të gjatë në fushën e së drejtës dhe pedagogjisë. Gjatë eksperiencës mbi 16 vjeçare në jetën akademike, Dr. Arben Shehu është një ndër njohësit më të mirë të drejtësisë penale. Z.Shehu është diplomuar gjithashtu edhe në fushën e e ekonomisë dega “Administrim Biznesi”, me një eksperiencë të gjatë akademike, kërkime dhe shkrime shkencore, por edhe përvojë të spikatur në zbatimin e ligjit, si ushtrues aktiv i profesionit të avokatisë”, thuhet në argumentimin e presidencës.
D e k r e t o j
Neni 1
Zoti Arben Shehu i propozohet Kuvendit të Shqipërisë për t’u zgjedhur Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.
Nr. Dekretit 11498
Tiranë, më 4.6.2020