Presidenti Meta: 8-të pyetje Komisionit të Venecias për të shmangur krizën e zgjedhjeve

0 328

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta po zhvillon një konferencë me gazetarët, tashmë e përjavshme në lidhje me çështjet aktuale të politikës në vend. Për kthimin e Kodit Zgjedhor, kreu i shtetit tha se e bëri pasi kështu shmanget një krizë zgjedhore. Duhet kujtuar se ndryshimet në Kod u bënë të njëanshme, pasi opozita politike nuk ishte dakord me draftin final që u votua në Kuvend.

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot nga selia e PS se, Parlamenti do e rivotojë sërish Kodin Zgjedhor të rikthyer për shqyrtim nga prsidenti i Republikës. Sipas tij, legjitimitetin e këtij parlamenti nuk mund ta verë asnjë në diskutim, për më tepër Ilir Meta.

Në konferencën për shtyp që po mbahet në selinë e presidencës, presidenti Meta i dha zero mundësi këtij skenari. ”Ka zero mundësi, ua kam thënë prej kohësh që në zgjedhjet e 25 prillit populli opozitar të mos përfaqësohet. Kjo ka zero mundësi”,-tha Meta.

Nga ana tjetër, Presidenti bëri me dije pyetjet që i ka drejtuar Komisionit të Venecias pas dekretit që ktheu për rishqyrtim ndryshimet e bëra më 5 tetor të Kodit Zgjedhor. Kreu i shtetit tha se kërkesa për opinion nga Komisioni vjen për “të shmangur një krizë të ardhshme zgjedhore, në kushtet kur ka përpjekje për të shtypur të drejtat e qytetarëve shqiptarë për interes të një pakice”.

1-A mund të ndryshohen në mënyrë të njëanshme rregullat themelore që rregullojnë konkurrencën zgjedhore, veçanërisht rregullat në lidhje me transformimin e votave në mandate mes konkurrentëve pasi të ketë filluar procesi zgjedhor dhe gjashtë muaj para zgjedhjeve? Sa e rëndësishme është qëndrueshmëria e legjislacionit zgjedhor dhe njohja e ligjit nga konkurrentët zgjedhor mjaftueshëm kohë përpara zgjedhjeve për vetë cilësinë dhe besueshmërinë e tyre?

2-Nëse rregullat ndryshohen në mënyrë të njëanshme dhe shumë afër datës së zgjedhjeve në mënyrë që të sigurojnë avantazh për partinë që ka paraqitur ndryshimet, a dëmtojnë/ndikojnë këto ndryshime parimet e qëndrueshmërisë, sigurisë juridike, rregullave të barabarta të cilat janë kyçe për të përmbushur angazhimet e BE-së për zgjedhje demokratike? A e komprometojnë këto ndryshime procesin zgjedhor? A e komprometojnë ato stabilitetin politik nëse bëhen në ndryshim me konsensusin e arritur më 14 janar dhe 5 qershor nga shumica e partive politike?

3-A shkelet parimi i garancive proceduriale nëse ndryshime të tilla bëhen në mungesë të një Gjykate Kushtetuese funksionale?

4-Ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor të 30 korrikut dhe 5 tetorit nuk ishin pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, a është procedura urgjente motiv i ligjshëm për të justifikuar ndryshimet e njëanshme nga një parlament i kontestuar që nuk ka kuorumin kushtetues prej 140 deputetësh?

5-A është në përputhje me standardet ndërkombëtare dispozita e futur rishtazi në Kodin Zgjedhor për të drejtën e kryetarit të një partie për të kandiduar në 4 qarqe zgjedhore?

6-A e pengojnë rregullat aktuale në fuqi për mbledhjen e votave dhe shndërrimin në mandate, veçanërisht ato në lidhje me koalicionet zgjedhore futjen e listave të hapura? Në rast se legjislacioni miraton lista të hapura ndërsa mekanizmi i koalicioneve zgjedhore dhe formula e ndarjes së mandateve do të mbeteshin ato që ishin në fuqi a do të ishin këto në përputhje me standardet e BE-së?

7-A i dëmton të drejtat e partive politike imponimi i njëanshëm i ndryshimeve të Kodit Zgjedhor në lidhje me koalicionet parazgjedhore për të kandiduar me një listë unike?

8-Duke pasur në konsideratë situatën cilat do të ishte zgjidhja e pranueshme për të siguruar një proces zgjedhor në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet evropiane për zgjedhje demokratike dhe të dakordësuar nga të gjithë aktorët politikë në mënyrë që të shmanget një krizë tjetër zgjedhore?

Leave A Reply

Your email address will not be published.