Përvjetori i Masakrës së Reçakut, Meta: Gjaku dhe sakrificat e martirëve dhe heronjve të kombit nuk do të harrohen kurrë

0 1,005

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot 22-vjetorin e Masakrës së Reçakut në Kosovë, në të cilën forcat ushtarake serbe vranë 45 civilë të pafajshëm. Në një mesazh në rrjetet sociale, kreu i shtetit shprehet se kjo masakër që u bë në zemër të Europës është dëshmi e gjenocidit serb mbi shqiptarët.

“Në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë, nderojmë sot me dhembje dhe respekt të thellë kujtimin e 45 civilëve të pafajshëm, që humbën jetën në Masakrën e Reçakut, si dhe të gjitha viktimat e paharruara të krimeve barbare të regjimit të Millosheviçit. Kjo masakër e kryer në zemër të Europës, që shokoi mbarë botën, mbetet një dëshmi e pakundërshtueshme e gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë, që nuk duhet harruar dhe as mohuar, për të shmangur çdo rrezik për riciklimin e dhunës në rajonin tonë, që ende i ka të freskëta plagët dhe vuajtjet e luftërave”,- shprehet kreu i shtetit.

Presidenti Meta deklaron se ngjarja të tilla duhet t’i shërbejnë rajonit për të garantuar paqen dhe stabilitetin në të ardhmen. “Të bëjmë gjithçka për të mos lejuar më cenimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, për të garantuar të ardhmen e sigurtë dhe të përbashkët europiane. Mirënjohje përjetë Ambasadorit William Walker për denoncimin historik, që i bëri Masakrës së Reçakut vetëm me tre fjalë: Krim kundër njerëzimit! Gjaku dhe sakrificat e Martirëve dhe Heronjve të kombit, në themel të Lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës, kurrë nuk do të harrohen!”,- deklaron kreu i shtetit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.