Përdorimi i të dhënave/ Vojo Bregu: Kjo marrëzi e autokratit të dështuar të Ballkanit merr fund pas 25 Prillit

0 287

Koordinatori politik i LSI-së në Vorë, Vojo Bregu ka reaguar për lajmin se PS-ja përdor të dhënat e qytetarëve përmes platformës e-albania, ku thotë se kjo marrëzi e autokratit të dështuar të Ballkanit merr fund pas 25 Prillit. ”Në bazën e të dhënave (database) të siguruar nga Lapsi.al, e cila funksiononte për shërbim të brendshëm në Partinë Socialiste, pamë se si dokumentoheshin të dhënat personale për çdo votues në qarkun e Tiranës. Në çdo vend normal, ky vëzhgim masiv krijon tre probleme kryesore me demokracinë dhe marrëdhënien që një shoqëri do të ruajë me shtetin e saj”,-shkruan Bregu në një postim në facebook.

Shkrimi i plotë nga Vojo Bregu

Sistemi i kontrollit, sistemi i patronazhit dhe institucioni.

Në bazën e të dhënave (database) të siguruar nga Lapsi.al, e cila funksiononte për shërbim të brendshëm në Partinë Socialiste, pamë se si dokumentoheshin të dhënat personale për çdo votues në qarkun e Tiranës. Në çdo vend normal, ky vëzhgim masiv krijon tre probleme kryesore me demokracinë dhe marrëdhënien që një shoqëri do të ruajë me shtetin e saj.

1-Kontrolli

Askush nuk mund të thotë se nga i mori Partia Socialiste të dhënat mbi votën individuale në 2013-ën ose 2017-ën. Nga qendrat e votimit apo nga rrjeti informativ partiak i “patronazhistëve”? Një kategorizim i tillë i njerëzve që kanë votuar të paktën një herë minon seriozisht besimin e qytetarit tek fshehtësia e votës apo liria e mendimit. Për më tepër, duke qenë se partia-shtet ka në dorë gjithë institucionet ky fakt krijon dyshime serioze mbi presionin mbi administratën dhe deformimin e votës.

2-Patronazhimi

Është hera e dytë që e hasim këtë fjalë. Më parë e kemi lexuar tek një memo e brendshme e PS-së, e rrjedhur në media, e cila me pafytyrësi kërkonte shkrirjen e LSI-së. Nuk e dimë çfarë nënkuptonte Rama me këtë shkrirje, agresionin institucional apo dëshirën e tij perverse për pushtet vetjak? Këta të ashtuquajtur patronazhistë, në kushtet ku jetojmë, nuk kane kurrfarë funksioni politik perveçse presionin e jashtëligjshëm ose blerjen e votuesve të partive të tjera me favore që burojnë drejtpërdrejt nga pushteti. Në një shoqëri normale, një figurë e tillë e sekserit politik do ngrinte shumë pikëpyetje.

3-Abuzimi me institucionin

Nga Lapsi.al por edhe nga eksponentë të PD-së u hodh ideja se të dhënat ishin marrë nga portali E-Albania. Kjo do ishte një shkelje e rëndë e neneve 121 dhe 122 mbi privatësinë, si dhe përdorim grotesk i një portali të propaganduar si histori suksesi, për të mbledhur vota. Jemi ballafaquar me histori të tilla nga bota ku publiku vëzhgohet me pretekstin e luftës ndaj terrorizmit dhe kriminalitetit.

Nga aktivistë si Snowden është argumentuar se liritë personale po dhunohen në emër të sigurisë kombëtare dhe kontrolli shtetëror po bëhet total. Mirëpo përdorimi i të dhënave personale në funksion të partisë tejkalon çdo imagjinatë apo arsyetim juridik. Është treguesi i radhës mbi karakterin qesharak të Rilindjes si Parti-Shtet.

Kjo ngjarje meriton një hetim serioz dhe profesional, i cili fatkeqësisht për momentin është bërë i pamundur nga kapja e shtetit rilindas. LSI siguron të gjithë qytetarët që kjo marrëzi e autokratit të dështuar të Ballkanit do të marrë fund pas 25 Prillit, dhe shteti do rikthehet në shina të normalitetit kushtetues.

Leave A Reply

Your email address will not be published.