PD, Duma: Rihapja e shkollave, qeveria e papërgatitur dhe ngelëse

0 306

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma, u shpreh se “kur kanë mbetur vetëm 3 javë nga nisja e vitit të ri shkollor, qeveria nuk ka marrë asjë masë, nuk ka publikuar asnjë udhëzim dhe asnjë protokoll sigurie që ruajnë jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe mësuesve”.

“Edhe shpalljen e vendimit për rihapjen e shkollave e bënë nën presionin e drejtë të Partisë Demokratike. Nga vetë deklaratat e Ministrisë së Arsimit, vendimi për hapjen e shkollave është marrë pa asnjë pregatitje. Gjithë çfarë Ministria deklaron është që ende po detajojnë një plan. Pra, vetëdeklarojnë se kanë marrë vendimin pa pasur një plan. Vendimi i marrë para hartimit të një plani të mirëmenduar sipas kushteve dhe mundësive me shkollat tona është një rrezik mbarëkombëtar. Sot, qeveria nuk deklaron asnjë plan masash, sepse nuk e ka! Pikërisht sepse nuk ka një plan apo strategji, ka gjetur mënyrën keqdashëse ta hedhë përgjegjësinë tek prindërit duke spekuluar që gjoja “po bën atë që deshën shqiptarët”, sepse “kështu doli sondazhi”. Qeveritë nuk qeverisin me sondazhe dhe sondazhet nuk janë vendime qeverie. Nëse do të ishte kështu, bënin mirë të kryenin një sondazh mbi çfarë donin shqiptarët në kohën e karantinës; apo çfarë donin shqiptarët kur mbyllja pa plan u shkatërroi ekonominë dhe punën”, tha Duma.

Sipas saj, “qeveria duhet të na thotë qartë dhe me përgjegjësi të plotë: Çfarë ka ndryshuar në kapacitetet dhe pregatitjet për mbrojtjen nga infektimi nga koha kur shkollat u mbyllën, ndërsa kishte vetëm 5-15 të infektuar në ditë. Çfarë kapacitetesh më të specializuara ka sot qeveria kur deklarohen edhe 150 të infektuar në ditë?”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.