Në Kosovë është kundërshtuar në mënyrë kategorike përfshirja në një iniciativë rajonale, apo siç tashmë po quhet nisma për një “Mini-Shengen Ballkanik”, ku synohet vendosja e një bashkëpunimi më intensiv ekonomik përmes lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave. Takimi i fundit u mbajt më 10.11 në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me të gjithë liderët e Ballkanit, por pa praninë e Kosovës. Në këtë inciativë Kosova refuzon të marrë pjesë, duke e cilësuar si një “devijim” të rrugës euroatlantike.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke sqaruar mospjesëmarrjen e tij në takimin e Ohrit, jep argumentet e tij. “Së pari, Kosova, qëllimshëm ishte anashkaluar nga Serbia në Samitin e Parë të kësaj iniciative të re rajonale. Së dyti, vizioni i vetëm i Kosovës mbetet anëtarësimi në BE dhe NATO. Prandaj, ne nuk duam që në asnjë rrethanë ta zëvendësojmë perspektivën tonë euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale. Dhe, së treti, kjo iniciativë rajonale është e pakuptimtë për aq kohë sa Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, thotë Presidenti Thaçi në reagimin e tij.
Ai sqaron se Kosova është e përkushtuar për fqinjësi të mirë dhe heqjen e pengesave për lirinë e njerëzve dhe mallrave, por sipas Presidentit “Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë, në të cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavarur”. “Ne jemi të përkushtuar që të tejkalojmë pengesat aktuale nëpërmjet dialogut dhe marrëveshjes për njohje reciproke. Vetëm atëherë kur të ndodhë një gjë e tillë, ne do të bëhemi pjesë e iniciativave të tilla rajonale si shtete të barabarta”, thotë në reagimin e tij Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Mini-shengeni i mini-jugosllavëve?
Kundër iniciativës për një “mini-Shengen Ballkanik”, apo siç po interpretohet në Kosovë “Unioni Doganor i Shteteve të Ballkanit”, është shprehur edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, parti kjo që pritet të jetë pjesë e qeverisë së re të Kosovës. Isa Mustafa, ngre pyetjen se “në cilat kuzhina po zihen projektet e Unionit Doganor të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të Tregut të Përbashkët të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe së fundmi të mini-Shengenit ndërmjet këtyre vendeve?!
“Në shikim të parë duken projekte atraktive, por në esencë çojnë në një Jugosllavi të re, me Shqipërinë e pa Kroacinë dhe Slloveninë. Janë ide që nuk i kemi përkrahur sa e kemi drejtuar qeverinë dhe nuk do t’i përkrahim si Lidhje Demokratike e Kosovës, as në pozitë dhe as në opozitë. Ashtu siç nuk përkrahim ndryshimin e kufijve shtetërorë të Kosovës”, thotë Isa Mustafa. Sipas tij, Kosova duhet të aspirojë tregun unik evropian, fillimisht mbi bazën e MSA-së që rregullon edhe doganat dhe të bëhemi pjesë e Marrëveshjes Shengen, ku janë shtetet e BE-së.
“Marrëveshja e mini-Shengenit lindi, kur nuk u realizua projekti i ideuar në Serbi për Unionin Doganor dhe ideja për Unionin Ekonomik të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të kundërshtimit të Kosovës dhe të Malit të Zi. Marrëveshje të tilla çojnë në një situatë kur tatimet në kufi, qoftë TVSH-në, tatimin doganor, akcizën do t’i mbledh në pjesën më të madhe Serbia për Kosovën (e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës), sepse kemi kufirin me të gjatë me të, e në pjesët e tjera, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi”, thotë Isa Mustafa. Sipas tij, “politikat e Mini-shengenit i largojnë vendet e Ballkanit Perëndimor nga rruga e integrimeve evropiane dhe i çojnë në strofullën euroaziatike të dominuar nga Rusia”.
Konteksti “mini-Shengeni ballkanik” – kontekst i ri në rajon
Si e shohin ekonomistët iniciativën për një “minishengen Ballkanik” dhe pse me refuzimin e BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po krijohet një realitet i rinë Ballkan. Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, në një editorial të tij, thotë, se po paralajmërohet një qasje nga qendrat e vendimmarrjes “New Deal for the region”, në bllokun e vendeve evropiane që nuk janë formalisht pjesë e BE-së, por, të cilat praktikisht janë pjesë e tregut të përbashkët të BE-së.
“Kjo qasje nënkupton, integrim më të thellë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, akomodim më i mirë me rregullat dhe standardet evropiane, para integrimit të plotë në BE. Në anën tjetër BE-së i jep kohë për reforma të brendshme, ndërsa politikanëve nga vendet anëtare të BE-së, material të mirë për ballafaqim me frymën populiste që është kundër çdo zgjerimi të ri”, shkruan Berat Rukiqi. Por, sipas tij, thelbi i problemit është marrëdhënia aktuale Kosovë-Serbi.
“Problemi fundamental në raportet e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është marrëdhënia aktuale Kosovë-Serbi. Nuk do të ketë sukses asnjë iniciativë e re, asnjë reformë në procesin e zgjerimit, asnjë iniciativë ekonomike dhe financiare për rajonin, pa zgjidhjen e problemit mes Kosovës dhe Serbisë. Integrimi politik dhe ekonomik në rajon është i pamundshëm në rrethanat, kur vendet që synojnë integrimin nuk e njohin njëra tjetrën”, shkruan Berat Rukiqi.
Takimi i Ohrit pjesë e nismës për “mini-Shengen ballkanik”, pason takimin e Novi Sadit në Serbi që u mbajt më 10 tetor. Në takimin e Ohrit morën pjesë pos liderëve të vendeve të Ballkanit (pa Kosovën) edhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, të Këshillit për bashkëpunim rajonal dhe të Bankës Botërore, të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të Bankës Evropiane e Investimeve. Mbledhja e radhës do të mbahet më 21 dhjetor në Durrës, ku pritet të jetë i pranishëm edhe shefi i ri i diplomacisë Evropiane Joseph Borrell.
Burimi: /DW/
Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.