Meta: Një gangster ngjitet në pushtet, duke asgjesuar opozitën dhe i mbyll gojën shtypit

''I rrethuar nga servilë të paskrupullt, dallkaukë dhe kriminelë, ngjitet në pushtet, duke shantazhuar kundërshtarët e asgjesuar opozitën, pasi merr nën kontroll gjykatat dhe i mbyll gojën shtypit''

0 387

Sot është Dita Europiane e kujtimit të viktimave të Stalinizmit dhe Nazizmit. Përmes një mesazhi të fortë të publikuar në facebook, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta thotë se historia rrezikon të përsëritet në forma të tjera nëse harrojmë çmimin e dhimbshëm që kemi paguar për lirinë, demokracinë, të drejtat.

Nga ana tjetër, kreu i shtetit thotë se dy kryeveprat botërore të letërisë, “Arturo Ui” i Bertolt Brecht dhe “Ferma e Kafshëve” e George Orwell, na mësojnë se kur shoqëria është neglizhente në mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë, përherë do të shfaqet një gangster ambicioz si Arturo Ui.

”I rrethuar nga servilë të paskrupullt, dallkaukë dhe kriminelë, ngjitet në pushtet, duke shantazhuar kundërshtarët e asgjesuar opozitën, pasi merr nën kontroll gjykatat dhe i mbyll gojën shtypit”.

Mesazhi i plotë i Presidentit Meta:

Në Ditën Europiane të Kujtimit të Viktimave të Nazizmit dhe Stalinizmit nderojmë të gjithë jetët e pafajshme të humbura nga krimet dhe terrori i dy ideologjive shkatërrimtare dhe bashkëndajmë dhimbjen me të gjithë ata që u mbijetuan burgjeve, internimeve dhe torturave çnjerëzore.

Historia rrezikon të përsëritet në forma të tjera nëse harrojmë çmimin e dhimbshëm që kemi paguar për Lirinë, Demokracinë, Të Drejtat dhe Dinjitetit Njerëzor. Një nga tiparet e regjimeve totalitare është fshirja e kujtesës historike, fillimisht nëpërmjet propagandës, e më pas edhe represionit.

Për mbi 4 dekada ne u shndërruam në Korenë e Veriut të Europës, ndaj kemi sot përgjegjësinë për të mbrojtur në çdo moment lirinë, demokracinë, pluralizmin e paqen sociale, që nuk na janë dhënë njëherë e përgjithmonë. “Arturo Ui” i Bertolt Brecht dhe “Ferma e Kafshëve” e George Orwell, dy alegoritë më të jashtëzakonshme të Nazizmit dhe Stalinizmit, i kanë dhënë mbarë njerëzimit mesazhe të vlefshme në çdo kohë dhe tepër paralajmëruese.

Dy kryeveprat botërore na mësojnë se kur shoqëria është neglizhente në mbrojtjen e Lirisë dhe Demokracisë, përherë do të shfaqet një gangster ambicioz si Arturo Ui, që i rrethuar nga servilë të paskrupullt, dallkaukë dhe kriminelë, ngjitet në pushtet, duke shantazhuar kundërshtarët e asgjesuar opozitën, pasi merr nën kontroll gjykatat dhe i mbyll gojën shtypit.

Apo ashtu si në Fermën e Orwellit, kafshët e shtypura pasi rebelohen për liri e barazi, befas një elitë dinake e udhëhequr prej derrave me parimin se “të gjithë janë të barabartë, por disa janë edhe më të barabartë se të tjerët” merr kontrollin e pushtetit dhe një tirani zëvendësohet me një tjetër.

Të mos harrojmë kurrë tragjeditë e së shkuarës dhe duke bashkuar të gjitha forcat të bëjmë më të mirën që çdo shqiptar të gëzojë jetën, lumturinë, të drejtat, liritë dhe të ardhmen e tij të sigurtë europiane në Shqipëri dhe jo si emigrant në vende të tjera. ????

Leave A Reply

Your email address will not be published.