Mbështetje dhe mikpritje nga Meta/ Presidentja Vjosa Osmani: Asnjë përgjigje nga Rama për rezolutën e gjenocidit

0 712

Takimet e para dhe vizitën e parë si Presidente në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani e mbajti në Shqipëri. Për tre ditë me rradhë, Osmani u prit nga krerët më të lartë të shtetit. Teksa e vlerëson të suksesshëm këtë takim të parë, në një konferencë për mediat në Kosovë, ajo u shpreh se nuk ka vërejtur asnjë tension gjatë vizitës në Tiranë. Osmani bëri me dije se erdhi për të kërkuar ndihmë, pasi Kosova gjendet në një fazë të vështirë të ballafaqimit me Gjykatën Speciale.

”Unë nuk kam vërejtur asnjë tension, kam pasur një pritje jashtëzakonisht të ngrohtë, një mikpritje shumë domethënëse me Presidentin Meta, i cili edhe më ka ftuar ta bëjë këtë vizitë. Kemi pasur takim shumë substancial me të, dhe jo vetëm ne të dy por edhe ekipet tona kanë pasur mundësinë të diskutojnë bashkëpunimin tonë dhe domosdoshmërinë që nga çështja e pandemisë, vaksinat që duhet të furnizoheshim, e deri te tema e dialogut, delegacioneve, vizitave, temat që ne i shtrojmë në këto vizita. Gjithçka kemi diskutuar në rrethana mikpritëse të jashtëzakonshme”,-tha Osmani.

Por Presidentja theksoi se nuk ka marrë përgjigje nga kryeministri Edi Rama lidhur me rezolutën për gjenocidin, duke shtuar se këtë përkrahje e mori nga presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

”Çfarë raporti kam me zotëri Rama në baza personale është tërësisht e pa rëndësishme. Unë këtu nuk jam në cilësinë personale, kam ardhur në cilësi zyrtare, si përfaqësuese e Republikës së Kosovës, si ushtruese e detyrës së presidentit, dhe si kryetare e Kuvendit. Pse nuk ka ardhur sërish, do të duhej të përgjigjej vetë kryeministri Rama, dhe do të duhej të komentohej ajo. Ajo çfarë kam thënë edhe në Kuvendin e Shqipërisë, edhe në konferencë për shtyp nuk ka asgjë të pavërtetë, dhe nuk ka arsye që të tensionojë në radhë të dytë. Në qoftë se ne dëshirojmë që të përparojmë në raportet tona, nëse ne dëshirojmë që të jemi më efektiv në këtë bashkëpunim, në qoftë se ne dëshirojmë që zëri ynë të dëgjohet më shumë, zërat duhet t’i bashkojmë. Dhe ky ka qenë qëllimi që nga dita e parë, dhe kjo do të jetë edhe tash e tutje”, u shpreh Osmani.

Leave A Reply

Your email address will not be published.