Kreu i OBSH-së paralajmëron: “Mos mendoni se pandemia po arrin drejt fundit”
Ndonëse burime nga vetë OBSH-ja thonë se Omicron mund të shënojë fundit e pandemisë, kreu i saj Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh se vendet kanë ende punë dhe duhet të qëndrojnë të fokusuar për të mposhtur pandeminë.
Ai theksoi se është e rrezikshme të mendohet se “Omicron po lajmëron fundin e fazës akute të Covid-19” dhe se globalisht kushtet janë ideale që të shfaqen më shumë variante.
Edhe pse përhapja e Omicron ka qenë e shpejtë dhe e shumtë në numër në të gjithë botën, ndikimi i tij më pak vdekjeprurës dhe vaksinimi masiv ka bërë ekspertët dhe njerëzit të mendojnë se më e keqja ka kaluar.
Greqia nën dëborë: Vendi nxjerr ushtrinë pas bllokimit të mijëra automjeteve
Dëbora e dendur dhe ulja e temperaturave kanë shkaktuar probleme të rënda në Greqi, aq sa vendi është detyruar të nxjerrë në rrugë ushtrinë për të ndihmuar me hapjen e rrugëve të bllokuara.
Edhe pse autoritetet kishin njoftuar banorët për të shmangur lëvizjet e panevojshme, shumë prej tyre u gjendën në rrugë pa goma dimërore dhe pa zinxhirë, duke krijuar kështu kaos trafiku në vend.
Sërish, qeveria i ka bërë apel qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi edhe gjatë 24 orëve në vijim pasi gjendja do të jetë e njëjtë. Edhe në Athinë shumë shkolla dhe institucione janë mbyllur për shkak të motit ekstrem.
Aeroporti i Stambollit bllokohet prej stuhisë së dëborës
Kushtet ekstreme të motit edhe në Turqi kanë bërë që të gjitha fluturimet në aeroportin e Stambollit të anullohen. Stuhia e dëborës ka bllokuar aeroportin duke paralizuar kështu çdo lëvizje brenda dhe jashtë tij. ‘Istanbul Airport’ është më i madhi ndër tre aeroportet në Stamboll.
Moti ekstrem ka përfshirë gjithë mesdheun ku në disa vende temperaturat kanë arritur deri në -15 gradë.
Norvegjia heq karantinën për udhëtarët e pavaksinuar
Në vend të karantinës së detyrueshme, Norvegjia do të bëjë teste ditore për udhëtarët e pavaksinuar.
Kushdo që arrinte në Norvegji nga një zonë me detyrim karantine dhe që nuk mund të tregojë prova të vaksinimit, ose që ka kaluar së fundmi Covid-19, duhet të qëndronte në karantinë për të paktën tri ditë.
Kontaktet e ngushta të personave të infektuar kërkohen të karantinohen për 10 ditë. Tani kjo nuk konsiderohet më e nevojshme për kontrollin e infeksionit, me rregullat e reja që do të zbatohen nga 26 janari.
Nga e mërkura, kontaktet e ngushta duhet të testohen çdo ditë për 11 ditë. Ata që refuzojnë të testohen duhet të karantinohen.