Krimi në Shqipëri ka 4 zona të nxehta, 45 vrasje në 11 muaj

0 377

Ekzekutime mafioze, krime në familje dhe shpërthime me tritol, janë ngjarjet që kanë vënë në pikëpyetje sigurinë e jetës. Shumica e vrasjeve janë ende pa autorë. Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, pranon se ka problematika me krimin, apo drogën. Për të më kryesore është trafiku i emigrantëve. Gjithsesi, Lleshaj bëri publik edhe një tjetër fakt. Ai tha se në Shqipëri katër zona më të nxehta të krimit, duke mos përjashtuar Tiranën, për të cilën argumentohen me numrin e madh të popullsisë. Pas Tiranës, Lleshaj rendit Elbasanin, Shkodrën dhe Vlorën.

Ekspertë të kriminalistikës thonë se ka një perfeksionim të krimit. Nuk bëhet fjalë thjesht për një krim me armë në mes të lokalit, apo në rrugë, apo krim që ka ardhur thjesht e vetëm pas një debati me fjalë, një konflikti të çastit, apo për motive që policia shpesh i konsideron “të dobëta”. Bëhet fjalë për atë lloj krimi, ku protagonistë janë killera dhe viktima biznesmenë, apo trafikantë për të cilët ka motive të forta për të arritur deri këtu.

Sipas Lleshajt, deri më tani janë 45 vrasje dhe sipas Policisë 6 janë vrasje me pagesë dhe për të cilat është paguar nga grupe rivale, apo banda që lajnë hesapet mes tyre. Më konkretisht janë ekzekutuar nga vrasës të paguar Hekuran Billa, Kastriot Reçi, Guxim Gjuriçi, Vilson Tafçiu, Kol Murrani dhe Preng Simoni, këta të fundit pa asnjë të kaluar kriminale, por thjesht e vetëm se identifikuan parcelat me drogë që ishin mbjellë në malësitë e Lezhës nga një trafikant. Skema mbetet e thjeshtë dhe nuk ndryshon shumë në vendet e ndryshme të Ballkanit. Ajo ka të bëjë kryesisht me vrasje biznesmenësh, hakmarrje, konflikte etj. Në këto raste zgjidhet njeriu me pagesë, që zakonisht gjendet nga grupet e vogla kriminale.

Në 6 mujorin e parë të vitit 2020, kur Shqipëria dhe bota u izoluara për disa muaj për shkak të pandemisë së Covid-19, u regjistruan 24 vrasje. Grupet kriminale kishin kohën në favor të tyre, që të mendonin për metodat të cilat kanë rezultuar më të sofistikuara. Mbi të gjitha autoritetet janë larg zbardhjes të së vërtetës.
Grupet kriminale i kanë shfrytëzuar muajt e shtetrrethimit për të thurur plane.

Në rreth 70 ditë nga kthimi në normalitet në të gjithë vendin u regjistruan 12 ngjarje kriminale, 4 prej të cilave me nga 2 viktima. Shqipëria renditet e treta në Europë për nivelin më të lartë të viktimave nga vrasjet në raport me popullsinë. Numri më i lartë i viktimave nga vrasjet në 5 vitet e fundit është shënuar në 2016-n, me 99 humbje jete, duke zbritur në 68 përkatësisht në 2017 dhe 2018. Kurse në 2019 u vranë 75 persona. Vrasjet me dashje, në 58 në 2019 nga 51 në 2018, kanë shënuar nivelin më të lartë nga 2016. Opozita thotë se Edi Rama është shkaku kryesor i fuqisë që krimi i organizuar ka sot, prandaj sipas saj Shqipëria ka nevojë urgjente të ndahet nga kryeministri që për ta është peng i krimit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.