Në një përpjekje për të rritur trysninë financiare ndaj Presidentit rus Vladimir Putin për shkak të ndërhyrjes së tij në Ukrainë, vendet në mbarë botën po konfiskojnë pasuritë e oligarkëve që besohet se janë të lidhur ngushtë më të.
Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës po shkakton skena të tmerrshme lufte me varreza masive, trupa të viktimave nëpër rrugë, dhe miliona njerëz që përpiqen të largohen nga vendi në atë që Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se është kriza e refugjatëve me rritjen më të shpejtë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Duke shpresuar se pasojat financiare do ta detyrojnë presidentin Putin të ndryshojë mendjen për luftën e tij, shumë vende po konfiskojnë pasuritë e miliarderëve që kanë lidhje të ngushta me të.
Ndaj njëzet oligarkëve rusë janë vendosur sanksione që nga fillimi i sulmit kundër Ukrainës. Të enjten vendet perëndimore vendosën sanksione edhe ndaj miliarderit Roman Abramovich dhe gjashtë oligarkëve të tjerë rusë. Vendimi për të vendosur sanksione ndaj Roman Abramovich-it u mor pavarësisht se ai nxorri në shitje ekipin e tij anglez të futbollit, duke thënë se të ardhurat do t’i jepeshin viktimave të luftës në Ukrainë.
“Mesazhi im për oligarkët rusë dhe udhëheqësit e korruptuar që kanë marrë miliarda dollarë nga ky regjim i dhunshëm është mjaft më. Ne po bashkohemi me aleatët evropianë për të gjetur dhe sekuestruar jahtet, apartamentet luksoze dhe avionët e tyre privatë. Ne do të godasim fitimet tuaja të korruptuara”, tha presidenti Biden.
Në të gjithë globin po sekuestrohen pasuri si ky jaht 85 metra i gjatë në pronësi të presidentit të kompanisë shtetërore ruse të naftës Rosneft, që është bllokuar në jug të Francës.
“Këta janë si një grup mafioz, ku të gjithë puthin unazën e shefit dhe nga kjo ai fiton shumë para. Përmes sanksioneve ndaj tyre, ne po ushtrojmë presion mbi të gjithë kleptokracinë në pushtet të Putinit”, thotë ish-ndihmës sekretari i shtetit, Daniel Fried.
Forbes vlerëson se me pasuritë e tyre të ngrira, miliarderët rusë kanë humbur më shumë se 126 miliardë dollarë që nga fillimi i luftës.
Ndërkohë, përdorues të talentuar të internetit si 19-vjeçari Jack Sweeney po përpiqen t’i gjurmojnë oligarkët rusë. Jack Sweeney u bë i famshëm për gjurmimin e avionit të sipërmarrësit Elon Musk.
Ai tani po gjurmon avionët e oligarkëve rusë.
“Fillimisht, isha i interesuar të gjurmoja avionët sepse njerëzit e tjerë më kërkonin ta bëja këtë, por tani e shoh se mund t’i ndihmoj disi njerëzit në Ukrainë duke gjurmuar këta oligarkë rusë”, thotë ai.
Ndërkohë, më shumë se 50 oligarkëve dhe të afërmeve të tyre u është ndaluar udhëtimi në Shtetet e Bashkuara. Por ekspertët nuk janë të sigurt se çfarë ndikimi kanë aleatët oligarkë të Putinit mbi të, ndërkohë që rrethi i këshilltarëve më të besuar të presidentit rus thuhet se vazhdon të zvogëlohet.