Fatos Nano si Jovan Bregu

0 409

Nga Ilir Levonja 

1) Nëse i famshi Jovan Bregu kishte ëndërr një magazinë, Fatosi ka postin e presidentit. I pari çfarë nuk bëri, deri me pesëmbëdhjetë katshin i hyri drejtorit, por nuk u bë dot magazinjer. Zuri nga mblesëritë por e pamundur. Zuri nga letrat anonime, por prapë nuk u bë dot magazinjer. Edhe Fatosi, lideri me frymë liberale, i burgosuri i ”përndjekur” që kanë harruar ta dekorojnë, se, dëmshpërblimin e ka marrë katërfish. Të përndjekurit e vërtetë akoma merren me këstet shekullore të qeverive tona. Akoma nuk u zuri veshi një ndjesë publike për kalvarin e vuajtjeve, jetët e humbura, lirinë e grabitur, deri shuarjen e sojit. Nuk ka kush ta bëj. Të gjithë e pranojnë nën zë krimin historik, por të gjithë i shmangen sysh, aq sa nomeklatura e pas luftës erdhi nga një planet tjetër. Erdhi, qeverisi dhe iku. Kaq!

2) Sa herë që afrohen zgjedhjet presidenciale, Fatosi i hedh pak bojë mjekrës, flokëve dhe shfaqet frymëmarrë. Zakonisht me kohën burrat rrumbullakosen, Fatosi ishte zgjeruar. Fatosi nxjerr ëndrrën presidenciale. Megjithëse në rastin konkret, ka akoma kohë. Por Jovani modern investohet 100% kësaj radhe tek Rama, me mendimin se ai do t’i fitoj i vetëm zgjedhjet e ardhshme. Dhe e ka shumë të kollajshme ta emëroi atë president, ashtu siç bëri me Ilir Metën në 2017-ën. Për ata që kanë memorie, Jovani modern e bëri këtë me Ilir Metën dhe Sali Berishën në 2012. Besoj u kujtohet pritja që kryeministri Berisha i bëri të ashtuqujturit liderit liberal, rivalit të dikurshëm, i cili ishte tërhequr nga politika më 2005. Atë kohë Edi Rama dhe partia nga ai vinte, nuk e mbështesnin. Qe një konflikt i hapur që me lëvizjen Mjaft. Pas mendjes së tij, i binte që për inat të Edi Ramës dhe mjaftistëve, Berisha mund ta suportonte në ëndrrën magazinë. Pas mendjes së tij Berisha nuk ishte kafsha poltike. Kjo zgjedhje do të ishte një grusht i fortë karshi Ramës. Por kjo nuk ndodhi. Berisha u justifikua me atë që do ishte normale që propozimi të vinte nga partia e tij. Mirëpo ”rilindasi” dhe mjaftistët nuk e honepsin. Kësisoj president doli një nga shumica. Që pavarsisht të gjithave, si proçedurë çoi përpara atë kulturën e firos sonë sociale, atë për një president amorf deri sa nuk e zgjedh populli. Tosi apo Jovan Bregu humbën sikur të mos kishin ekzistuar.

3) Në zgjedhjet presidenciale të 2017 Jovani u rishfaq rishtas, kësaj here si garant palësh, i ”moderuar”, i qe mbushur mendja se partia nga ai vinte, por edhe mjaftistët, do e mbështesnin. Tashmë disa raporte ishin normalizuar. Ligji me 84 votat e domosdoshme, ai që sillte çdo katërvjeçar zgjedhjen e presidentit, ai i ngërçeve parlamentare, i mos gjetjes së konsensusit për emrin, kishte rënë. Tashmë qe bërë një ligj i ri që president mund të zgjidhesh me një votim më të thjeshtë, qoftë me +1 votë. Pra 70 + 1 = 71. Kurrë se votonte opozita. Mirëpo ”rilindasi” dhe mjaftisti e kishin ndarë mëndjen. Nuk dëgjuan as këshillat e korifejve të letrave në emra konkretë. Jovan Bregun e socialistëve e përdorën sa për show. Madje në irritim e sipër, pyetjes se a keni biseduar me Nanon, a ju është ofruar ai për president. ”Rilindasi” iu përgjigj, ngrije piacën kur kalon në emra konkret, lista ime është shumë e madhe. ”Rilindasi” dhe mjaftistët kishin tjetër synim. Nxjerrjen në pension politik të një emri, aleati, një figure që tashmë nuk u duhej më. Ky ishte presidenti aktual i shqiptarëve. Rishtas një firo e vokacionit social, deri sa presidentin nuk e zgjedh populli. Pra Ilir Meta dhe jo Jovan Bregu.

4) Zgjedhjet e radhës, ato presidenciale janë korrikun e vitit që vjen. Jovan Bregu doli sot gjoja në atë rubrikën e kujtimore të të gjallëve të ndryshimeve të mëdha pos diktaturë. Në vend të një opinioni si aktor, Jovani bëri fushatë elektorale. Kësaj here në krah të ”rilindasit” dhe mjaftistit. Që domethënë ëndrra magazinë vazhdon. Pas mendjes së tij, ata që e zbythën janë sot aset kombëtar për shqiptarët. Dhe se ai do të jetë presidenti i 8 për shqiptarët. Duke dashur të na i plasi trutë në atë që akoma dështimi ynë social vazhdon. Megjithatë vëmendja sot është tek Jovan Bregu, jo tek shifrat. Zbulimi më i fundit, ndofta shkarasi, i një emisioni televiz, nga panelistet e Shqipëria live, informonte se 28% e të rinjëve janë të pa punë. Se sa është përqindja e të rinjëve në një shoqëri, ku ka fëmijë, mosha madhore, të moshuarit, nuk është e vështirë për ta kuptuar. Sidomos në një vend me afro dy milion banorë, ku 650 mijë janë pensionistë. Pra shifra 28% është katastrofë. Dhe jo rastësisht. Rikthimi i një 70 vjeçari që lyen mjekërr e flokë, i cili nuk dha kurrë llogari për çfarë ka në raport me atë që kishte, është pa dyshim vula e këtij regresi 30 vjeçar. Ndaj brezi i të rinjëve ka dy alternativa, o i pa punë, o refugjatë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.