Burg për sanitaren/Rama: Pyll pa derra nuk ka. Shoqata e Infermierëve: Heronjtë në vrasës të pacientëve

0 294

Kryeministri Edi Rama ka folur për rastin e sanitares mashtruese, e cila për një kohë u hoq si infermiere tek spitali ”Shefqet Ndroqi”, dhe i mori 8 milion lekë të vjetra vajzës së pacientes së shtruar në këtë spital. Sipas Ramës, kjo është një ngjarje e rëndë, ku pranon që pyll pa derra nuk ka, por nga ana tjetër thotë se kjo ngjarje nuk e përbalt trupën e denjë të bluzave të bardha.

“Më vjen keq nga historia e sanitares sepse përbalt figurën e mjekëve dhe infermierëve. E gjitha që më ka ngrohur është puna e bërë nga gazetarët investigativë sepse kanë nxjerrë në pah një llum tejet të papërtypshëm dhe nuk kanë provuar përkundrazi me gjithë investigimin e tyre nuk ka rezultuar që ky të ishte një zinxhir. Një kembanë alarmi që njerëzit të mos ndjekin rrugë të tilla. Ne e dimë vetë që nuk ka pyll pa derra dhe të mos gjenden fundërrina të tilla që mund të jenë edhe mjekë. Juve jeni më të ekspozuarit dhe jo vetëm që nuk keni lënë njeri rrugëve sado që kjo flamë nuk pyet për asgjë. Të gjitha këto ndryshime që po bëhen…edhe në këtë aspekt do të ketë ndryshime. Jemi në diskutim për të kaluar në një sistem tjetër. Gjithë problemet e ryshfetit janë zgjidhur me sistem, do të arrijmë ta çojmë në një nivel më të konsoliduar”, tha Rama.

Shoqata e Infermiereve të Shqipërisë, kërkon një hetim të të gjithë personelit mjekësor në spitalet Covid, pas rastit me sanitaren Tire Alldervishi. ”Heronjtë janë shndërruar në vrasës të pacientëve”, thuhet në deklaratë, referuar këtu rastit të sanitares që duke u hequr si infermiere i mori vajzës së një pacienteje të shtruar tek ”Shefqet Ndroqi” 8 milionë lekë të vjetra. Nga ana tjetër, kjo shoqatë kërkon një hetim të të gjithë personelit mjekësor në spitalet Covid, pjesë e së cilëve edhe drejtuesit, me argumentin se asnjë veprim i personelit nuk bëhet pa dijeninë e shefit apo kryeinfermieres, duke ngritur dyshime edhe për rastin në fjalë.

Mëngjesin e kësaj të enjte, Gjykata la në masën e sigurisë ”arrest me burg”, sanitaren Tire Alldervishi. 58-vjecarja akuzohet për mashtrim të pacientëve më shumë se një herë. Shuma e parave ishte marrë nga familjarët e një pacienteje, për shërbimet ndaj nënës së tyre, që ishte e shtruar në spitalin Covid 2, e cila humbi jetën pas 28 ditësh luftë më këtë sëmundje. Pamjet e transmetuara nga emisioni “Stop” tregonin rrëfimin e vajzës së të ndjerës dhe mesazhet që shkëmbente me sanitaren, e cila prezantohej si infermiere. Ministria e Shëndetësisë, e cila e ka shkarkuar sanitaren dhe kërkon hetimin deri në fund të këtij rasti. Vetë stafi i spitalit “Shefqet Ndroqi” e ka cilësuar si çnjerëzor veprimin e sanitares dhe siguron qytetarët që shërbimi mjekësor do të ofrohet me përkushtim dhe cilësi.

Leave A Reply

Your email address will not be published.