Apeli i SHBA për listat, Biberaj: Rama një aventurier politik që guxoi të sfidojë aleatët

0 307

Ish-deputeti i PD-së: Programi, një ofertë jo vetëm për fitoren e padiskutueshme të zgjedhjeve, por për realizimin e një “Ndryshimi të Madh” si nevojë dhe domosdoshmëri mbarëkombëtare

Bisedoi: Herion Mesi

Ish-Zëvendës Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj, vlerëson se qëndrimi i kryeministrit Edi Rama ndaj apelit të ambasadores amerikane në vendin tonë për të shmangur kandidimin në zgjedhje të personave me rekorde kriminale apo njerëz të korruptuar, është një një qëndrim sfidues ndaj aleatëve tanë strategjikë si dhe është një qëndrim i një aventurieri politik në kapërcyell të “moshës politike” dhe në fund të karrierës. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ish-ligjvënësi demokrat “zbërthen” dhe programin ekonomik të prezantuar së fundmi nga Partia Demokratike.

Z.Biberaj, si e shihni qëndrimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me apelin e ambasadores së SHBA-së për të shmangur përfshirjen e kriminelëve dhe të korruptuarve në listat e kandidatëve për zgjedhjet e 25 prillit?

Apelit të ambasadores amerikane Yuri Kim për të përjashtuar të inkriminuarit nga listat për deputetë i është përgjigjur në mënyrë shumë cinike, ironike, sfiduese, dëshpëruese dhe aspak premtuese kryeministri në ikje Edi Rama, i cili pak a shumë deklaroi se “partitë nuk janë drejtori policie dhe se ne nuk kemi ndërmend të ngremë salla torturash në selitë e partive nëse dikush fsheh diçka”. Kjo është përgjigja e kryeministrit ndaj kërkesës amerikane për dekriminalizim të listave, përgjigje kjo që është pak të quhet papërgjegjshmëri pasi realisht është çmenduri. Kryeministri i një vendi që ka 100% të pushteteve dhe i ka të gjitha institucionet e informimit në varësi “nuk paska informacion për 140 kandidatë për deputetë dhe 61 kandidatë për kryetar bashkish”?! Ky është një karshillëk i hapur që Edi Rama po i bën SHBA-së, se me BE-në “ka mbaruar punë me kohë”, pasi “e vuri me shpatulla për muri” për të gjitha dështimet e veta në politikën e jashtme dhe sidomos në integrimin europian të Shqipërisë.

Ky qëndrim sfidues ndaj aleatëve tanë strategjikë është qëndrim i një aventurieri politik në kapërcyell të “moshës politike” dhe në fund të karrierës, i cili sfidon jo vetëm ndërkombëtarët, por edhe Kushtetutën e Shqipërisë, ligjin e “dekriminalizmit”, ligjin e “pastërtisë së figurës së zyrtarit publik”, si dhe të një sërë ligjesh dhe aktesh të tjera nënligjore që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet zyrtarëve publikë të zgjedhur dhe institucioneve publike. Me atë që pohoi hapur Edi Rama, pavarësisht presionit ndërkombëtar apo degjenerimit dhe degradimit të brendshëm të sektit qeverisës të rilindjes, ai nuk ka në plan të bëjë asnjë lloj korrigjimi apo reflektimi ndaj fenomenit të futjes së kriminelëve dhe banditëve në parlament apo bashki, përkundrazi ai ua garantoi kriminelëve dhe banditëve se do t’iu veshë “kostumin dhe kollaren e rilindjes” për t’i futur përsëri në parlament apo bashki, për t’i “rehabilituar” ose “edukuar” ata që sapo kanë dalë nga burgu, dhe për t’i shpëtuar ata që janë duke hyrë në burg në Shqipëri, apo jashtë saj.

Pa bërë histori pasi rastet janë të shumta, por thjesht për t’ia kujtuar Ambasadores Kim se shqiptarët e dinë shumë mirë se Edi Rama ka 22 vite që qeveris me horrat në politikë, e filloi kur u bë ministër kulture në vitin 1998, e vazhdoi edhe më keq si Kryetar i Bashkisë së Tiranës për 11 vite, dhe i vuri vulën për 8 vjet si kryeministër pasi kriminalizimin, banditizmin i ngriti në sistem. E mbushi Parlamentin me një dyzinë kriminelësh me preçedentë penalë nga më të “rëndomtit” deri tek “më të pasurit”, banditët i futi në qeveri, i futi si kryetar bashkish dhe anëtarë këshillash bashkiake, i injektoi kudo në administratën publike, në biznese, në media, në shërbimin diplomatik, në bordet e administrimit dhe administrimin e universitete dhe kudo. Dhe për të gjitha këto që i ka bërë vendit jo vetëm që nuk tregon pendim, por na tregon hapur ne dhe ambasadores amerikane Kim se ai do të vazhdojë në rrugën e tij të krimit, dhe kjo ndodh pasi ai nuk është ndëshkuar as penalizuar për atë që i ka bërë këtij vendi, shpeshherë fatkeqësisht duke pasur edhe bekimin e ndërkombëtarëve.

Por nëse ndërkombëtarët nuk e vrasin shumë mendjen dhe mund të mbyllin njërin sy apo edhe vesh, pasi Shqipëria nuk është vendi i tyre, por thjesht një stacion i karrierës, profesionit apo pasurimit të tyre, shqiptarët, populli opozitar, opozita e bashkuar duhet ta ndalin këtë njeri që e ka “mbjellë” ambientin politik dhe administratën publike me kriminelë, banditë, horra dhe injorantë siç e mbolli Shqipërinë anë e mbanë me kanabis, ndërkohë që ambasadorët e vendeve mike duartrokisnin “policinë që duam”?! E nderuara ambasadore Kim shpresoj se e keni kuptuar edhe Ju se kush e qeveris Shqipërinë prej 8 vitesh, por “do ta durojmë këtij njeri edhe 3 muaj “për “t’i treguar vendin” me vota popullore me datën 25 Prill 2021. Ambasadorët shkojnë dhe vijnë, kurse ne, fëmijët tanë, nipërit dhe mbesat këtu do të jetojmë!

Partia Demokratike shpalli këtë javë programin për shëndetësinë, ndërkohë që javën e kaluar shpalosi programin ekonomik, sa realiste janë platformat e PD-së?

Pas një pune intensive rreth 2-vjeçare nga specialistët më të mirë të ekonomisë, financave publike, politikave fiskale, buxhetore dhe atyre bankare, por edhe me mbështetje dhe asistencë të huaj si dhe në konsultime me grupet e interesit, PD shpalosi programin ekonomik, të cilin mezi po e prisnin qytetarët shqiptarë. Shqiptarët të tej-lodhur nga një tranzicion pa fund 30-vjeçar, të zhytur në papunësi, varfëri dhe skamje ekstreme nga keq-qeverisja dhe abuzimi 8-vjeçar i rilindjes me pushtetin, shpresat dhe besimin e kanë orientuar nga opozita. Ekonomia do të jetë edhe fokusi kryesor i qeverisë së re të PD-së dhe opozitës së bashkuar të drejtuar nga Lulzim Basha, dhe përtej politikës, ky është edhe lajmi më i mirë për shqiptarët sot, në më pak se tre muaj nga zgjedhjet politike të 25 Prillit, zgjedhjet më të rëndësishme të pas 22 Marsit 1992. Me shumë gjasa gjatë këtij viti do të kemi edhe përsëritjen e zgjedhjeve vendore, pasi me 30 qershor 2019 nuk kishte as zgjedhje dhe as zgjidhje, por kishte thjesht vjedhje dhe manipulime nëpërmjet votimeve moniste të partisë-shtet.

Qeverisja e Edi Ramës ka shkatërruar sistemin politik (jemi në monizëm dhe jo në pluralizëm politik institucional), sistemin ekonomik (nuk kemi asnjë element të ekonomisë së tregut, sipërmarrjes së lirë si dhe të konkurrencës, përkundrazi ekonomia është e formës monopol/oligopol dhe që nuk i shërben aspak qytetarëve por vetëm disa oligarkëve mafiozë), sistemin e drejtësisë (drejtësia është e kapur nga krimi, korrupsioni dhe “vettingu” politik i rilindjes), median (është komplet e shantazhuar, kontrolluar dhe korruptuar nga pushteti i parave të pista dhe nën influencën e politikës së qeverisë), dhe këto janë të gjitha të cituara në të gjitha raportet ndërkombëtare. Edhe sipas raportit të Transparency International për vitin 2020 Shqipëria vazhdon të jetë vendi më i korruptuar në Europë, ndërkohë që nuk ka asnjë lloj ndarjeje dhe balancimi të pushteteve, treguesit e demokracisë janë përkeqësuar dhe qeverisja vazhdon të jetë e pakontrolluar, ndërkohë që partia-shtet kontrollon 100 % të pushteteve. Në kohën kur vendi mbytet dhe përmbytet nga shirat, ministrat “sheikë” bredhin restoranteve më të shtrenjta në botë.

Kryeministri “fut kontrabandë” një dyzinë vaksina duke gënjyer dhe mashtruar shqiptarët, ndërkohë që sasitë e tjera nuk dihet se kur do të vijnë, pasi edhe janari që u premtua si muaji i vaksinimit, iku pa vaksina. Autoritetet italiane të drejtësisë kanë kapur në përgjime organizatën mafiozë “Ndrangheta”, duke bërë pazare të pista me zyrtarë të lartë të policisë, ministra të Edi Ramës dhe kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj, për të përfituar tendera, apo leje ndërtimi në Tiranë kundrejt ryshfetit 20%. Për këtë mega-skandal SPAK duhet të filloje urgjentisht hetimin dhe jo të fshihet dhe as të stepet apo frikësohet nga intimidimet, presionet mafioze apo kërcënimet e Edi Ramës. Kulmi i papërgjegjshmërisë dhe marrëzisë së kryeministrit të çoroditur tani në ditët e fundit të pushtetit të tij kriminal ishte edhe kërcënimi që i bëri BE-së se “nuk do ta presim pa fund BE-në, mund të orientohemi drejt tregut turk dhe atij të Lindjes së Mesme”, duke synuar si dikur Enver Hoxha që ta çojë Shqipërinë drejt shkretëtirave të Gjirit Persik, ndërkohë që vokacioni dhe orientimi ynë i pandryshueshëm është vetëm perëndimi dhe integrimi euro-atlantik.

Në këto kushte kur qeverisja është totalisht e degraduar, e degjeneruar, e zhytur në krim, korrupsion dhe afera mafioze, në paaftësi, injorancë si dhe tribalizëm politik dhe krahinor, erdhi edhe programi ekonomik i PD-së për qytetarët shqiptarë, një ofertë kjo me qëllim jo vetëm fitoren e padiskutueshme të zgjedhjeve të 25 Prillit, por kryesorja realizimin e një “Ndryshimi të Madh” si nevojë dhe domosdoshmëri mbarëkombëtare. Shqiptarët sot nuk kanë më asnjë iluzion dhe nuk presin më asgjë nga qeverisja e rilindjes e cila do të shkërmoqet me 25 Prill dhe do të përballet me drejtësinë direkt pas 25 Prillit. Në kushtet kur vendit nuk ka as qeverisje qendrore dhe as vendore, por thjesht grupime bandash qendrore dhe vendore, PD nëpërmjet programit ekonomik po tregon pergjegjësi dhe përgjegjshmëri për 25 Prillin dhe post-25 Prillin. Nëse gjatë këtyre 8 viteve tepër të vështira PD dhe opozita ka bërë një opozitarizëm rezultativ, duke hedhur themelet e dekriminalizimit të politikës si dhe duke denoncuar qeverisjen qendrore dhe vendore te rilindjes të lidhur me krimin, korrupsionin, mafien dhe grupet e strukturuara kriminale, tani PD ka filluar sjelljen e saj si qeverisje e nesërme e Shqipërisë.

PD po ndez motorët e fushatës dhe po zbret në “fushën e lojës” me një program ekonomik tepër ambicioz dhe realist, programi më i mirë i këtyre 30-viteve. Shumë shpejt PD do të ketë edhe “formacionin” e vet parlamentar dhe qeverisës, për të ngjallur shpresën dhe besimin e e qytetarëve shqiptarë, si dhe për të inspiruar, frymëzuar dhe motivuar shqiptarët që ky vend mund të bëhet, dhe se situata pas 25 Prillit do të ndryshojë radikalisht, dhe se këtë ndryshim të madh e kemi ne qytetarët opozitarë të këtij vendi në dorë dhe askush tjetër. Shpallja e programit ekonomik nga Lulzim Basha dhe bashkëpunëtorët e tij është edhe fillimi më i mirë dhe premtues i kësaj fushate elektorale. Programi ekonomik synon rimëkëmbjën e shpejtë të ekonomisë së rrënuar, me qëllim rritjen e mirëqënies së qytetarëve, nëpërmjet nxitjes dhe motivimit të bizneseve si dhe prodhimit vendas, rritjes së punësimit (do të hapën 110.000 vende të reja pune) si dhe rritjes së pagave. Politikat e reja fiskale dhe bankare (kreditimi) si dhe subvencionet do të jenë mbështetje shumë e madhe jo vetëm për bizneset e vogla dhe të mesme dhe fermerët (taksa 0.5 % mbi xhiron), por edhe për çdo të punësuar, pasi do të ulen tatimet dhe taksat, do të thjeshtohet skema tatimore, do të aplikohet modeli rezultativ dhe i provuar i taksës së sheshtë prej 9% dhe jo 23% që është sot, si dhe nuk do të vijnë më “taksidarët gjobëvënës” në derën e biznesit si deri më sot. Prioritet do të jetë edhe nxitja e investimeve të huaja direkte si katalizator ekonomie por edhe mundësi zhvillimi dhe modernizimi të vendit.

Do të ketë edhe rregullim të akcizave doganore që motivojnë zhvillimin dhe prodhimin ekonomik vendas. Edhe artikujt dhe shërbimet bazë si energjia, uji, karburantet (direkt do të ulet çmimi me 24 lekë/litër), do të kenë ulje çmimesh nga mirë-menaxhimi i burimeve, ulja e taksave si dhe lufta ndaj monopoleve/oligopoleve. Rritja progresive dhe e vazhdueshme si dhe indeksimi i pagave dhe pensioneve do të jenë pjesë e rëndësishme e programit qeverisës, ku do të ketë rritje pensionesh për rreth 650.00 pensionistë, jo vetëm për të rritur mirëqënien e tyre por edhe për të respektuar kontributin e atyre që kanë punuar me dekada për këtë vend. Reforma dhe investime të rëndësishme do të ketë në sektorët jetikë të shëndetësisë dhe të arsimit (sidomos të arsimit të lartë), me synim për-afrimin e normave në raport me produktin e brendshëm bruto që vendet e BE-së shpenzojnë për këta sektorë, përfshirë edhe rritjen e pagave të profesorëve, arsimtarëve, mjekëve dhe infermierëve.

Shtresa e mesme do të jetë në fokus të programit ekonomik, si rregullator i shoqërisë, por do të ketë kujdes të veçantë edhe për familjet/shtresat në nevojë duke dyfishuar përkrahjen sociale për rreth 70 mijë familje të kësaj shtrese, duke shtuar numrin e familjeve që marrin përkrahje sociale, si dhe duke ngritur pagën minimale në kufirin e 36.000 lekëve. Si program i qendrës së djathtë do të ketë në fokus familjen, sidomos familjet e reja si qeliza bazë të shoqërisë sonë (mbështetja me kredi strehimi ku shteti merr përsipër normën e interesit), gjë që merr rëndësi shumë të madhe po të kemi parasysh plakjen e popullsisë, emigracionin masiv si dhe shtesën negativë të popullsisë. Rinia do të jetë prioritet i padiskutueshëm i programit tonë qeverisës, duke filluar nga mirë-arsimimi, mbështetja me bursa për nxënës të ekselencës dhe studentët, si dhe punësimi. Mbi të gjitha, ky është një program realist, i arritshëm dhe që ka në qendër të tij qytetarin!

Leave A Reply

Your email address will not be published.