A mbetet rastësi që prokurori dhe gjyqtari që dënuan bandën e Lushnjës, i përjashtoi Vettingu?!

463

Vettingu është i domosdoshëm për të ndarë se cilët janë gjyqtarët e prokurorët profesionistë dhe cilët janë ata që kanë abuzuar, vjedhur dhe kanë bashkëpunuar me krimin. Në parim, ky proces do të garantonte që në gjithë trupën e drejtësisë do të mbeteshin juristët profesionistë dhe do iknin ata që nuk meritonin më të përfaqësonin institucionet e shtetit. Një pjesë e mëkatarëve në drejtësi janë larguar më të drejtë. Por nuk ke si të mos habitesh se mes të larguarve janë dhe njerëz që kanë shërbyer me përkushtim, bile kanë dhënë vendimet më të rëndësishme të këtyre viteve.

Shkarkimi i gjyqtarit të krimëve të rënda Gurali Braimllari dhe prokurorit Besnik Muçi (sot anëtar i gjykatës kushtetuese), i pari nga KPK dhe i dyti nga KPA, janë dy raste konkrete që pasi mëson historinë dhe bilancin e punës së tyre nuk ke si të mos ndjesh keqardhje dhe neveri për standardet e përdorura nga komisionet e Vettingut. Të dy juristët, në mënyrë të “çuditshme” i lidh hetimi dhe gjykimi i Bandës së Lushnjes, e njohur si banda më e rrezikshme në vend.

Besnik Muçi në opinion njihet si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë karriera e tij është e gjitha si prokuror për Krimet e Rënda. Mes qindra proceseve dhe hetimeve ku ka marrë pjesë, ajo e dënimit të Bandës së Lushnjes është më e rëndësishmja. Besnik Muçi është prokurori që guxoi të kërkonte dënimin me burg përjetë për anëtarët e bandës më të rrezikshme që ka njohur vendi, para dhe pas vitit 1997. Ky prokuror hetoi aktivitetin e kësaj bande, ndër më të rrezikshmet në vend dhe kërkoi dënimin e tyre duke nisur nga kreu i kësaj bande Aldo Bare. Gurali Braimllari, gjyqtar i krimeve të rënda që u shkarkua në mënyrë absurde nga Vettingu, gjithashtu ka dënuar anëtarët e Bandës së Lushnjës. Në historinë më shumë se 20 vjeçare të kësaj bande, gjyqtari Braimllari ka dënuar disa nga drejtuesit dhe njerëzit më të afërt të Aldo Bares, si dhe të Bandës së Durrësit, pa harruar të disa organizatave të rrezikshme kriminale që ende janë aktive në Shqipëri.

Pas këtyre fakteve dikush mund të thotë se një bandë kriminale nuk hyn dot deri te Reforma në Drejtësi. Mirëpo Banda e Lushnjes nuk është më ajo e vitit 1997 që bridhte me kallash në dorë. Në vitin 1998 ata arritën deri sa hapën “Komisariat në Lushnjë” dhe më pas hetimet në Itali e Shqipëri treguan se lidhjet e tyre ishin shumë të fuqishme, edhe me eksponentë të sotëm qeveritar.

Interesant është fakti se për këtë bandë, përgjimet italiane të disa vite më parë, kanë kapur dhe komunikime me përfaqësues të lartë të Partisë Socialiste ku flitej për çështje tenderash. Opozita ka akuzuar shpesh herë si të lidhur me këtë grup kriminal zyrtarë shumë të lartë të PS-së, të cilët sot festuan sapo KPA dha vendimin.

Interesante mbetet se si ka mundësi që prokurori dhe gjyqtari , të cilët kanë dënuar bandën e Lushnjës, tashmë dënohen nga Vettingu!

Rastësi apo celularët punojnë e diktojnë edhe nga burgu!

Spartak Marku

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.